75 Mall Live Search
18:44 / E Premte, 13 Shkurt 2026 / MSH1

Sekuestrohen mbi 45 kilogramë ar në Pejë, MINT-i jep detaje

Një aksion i gjerë i institucioneve të sigurisë dhe mbikëqyrjes së tregut ka rezultuar me sekuestrimin dhe ndalimin e mbi 45 kilogramëve ar në rajonin e Pejës, pas evidentimit të shkeljeve të rënda në tregun e metaleve të çmuara.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim me Prokuroria e Shtetit në Pejë, Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës, realizoi një operacion të gjerë inspektimi te operatorët ekonomikë që merren me tregtimin e metaleve të çmuara.

Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi i aksionit ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara si dhe respektimit të standardeve teknike në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Ky është njoftimi i plotë:

Sekuestrohen mbi 45 kg ar në Pejë – IQMT dhe institucionet e sigurisë zbulojnë shkelje të rënda në tregun e metaleve të çmuara

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës – Njësia Kundër Kontrabandës, ka realizuar sot një aksion të gjerë inspektimi te operatorët ekonomikë që tregtojnë metale të çmuara në Rajonin e Pejës. Qëllimi i këtij operacioni ishte verifikimi i ligjshmërisë së tregtimit, prejardhjes së metaleve të çmuara dhe respektimit të standardeve teknike sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Gjatë kontrolleve të detajuara në terren, inspektorët e tregut dhe zyrtarë të institucioneve pjesëmarrëse në këtë aksion kanë evidentuar shkelje të cilat kanë rezultuar me masat e mëposhtme: – Ndalim i përkohshëm i mallit IQMT ka gjetur dhe ndaluar një sasi prej mbi 20 kg ari, i cili ishte i paverifikuar dhe pa shenjëzuar nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës. Ky mall do të mbetet i bllokuar deri në përfundimin e procedurave të rregullta ligjore. – Sekuestrim i metaleve të çmuara Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar mbi 25 kg punime të metaleve të çmuara – ari, për të cilat subjektet ekonomike nuk kanë arritur të prezantojnë dokumentacionin e nevojshëm mbi prejardhjen e tyre. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e një tregu të barabartë e të ligjshëm. Tregtimi i metaleve të çmuara pa shenjëzim nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës si dhe pa dokumentacion të rregullt përbën shkelje të rëndë dhe të ndëshkueshme. IQMT paralajmëron të gjithë operatorët ekonomikë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe ndaj çdo parregullsie do të ndërmerren masa rigoroze ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.