UBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
Në një ceremoni solemne të mbajtur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, shpalli ndarjen e “Dekoratës Jetësore të Nderit” për Familjen Jashari, në shenjë mirënjohjeje për guximin, rezistencën heroike dhe sakrificën e tyre në luftën për liri, drejtësi dhe pavarësi.
Dekorata iu dorëzua Rifat Jashari, si përfaqësues i familjes, duke bërë këtë një akt institucional nderimi dhe respekti moral para historisë.
Presidenti i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë fjalës së tij me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25-vjetorit të themelimit të UBT-së, theksoi se Familja Jashari simbolizon sakrificën sublime për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ai citoi ish-administratorin ndërkombëtar Bernard Kouchner: “Sikur të kishte Çmim Nobel të Lirisë, ai do t’i takonte Familjes Jashari.”

Tutje, Hajrizi shtoi: “Me flijimin e familjes Jashari, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari, kjo familje i dha Kosovës lirinë dhe vendosi standardin moral; se liria nuk fitohet pa gjak, se dinjiteti nuk mbrohet pa sakrificë dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi kujtesën tonë kombëtare e historike”.
Në fjalën e tij, Hajrizi theksoi edhe rrugëtimin 25-vjeçar të UBT-së, duke e konsideruar universitetin një akt besimi në të ardhmen e vendit dhe një përgjigje ndaj nevojës për arsim cilësor me standarde ndërkombëtare. Ai vuri në pah rangimet dhe sukseset ndërkombëtare të UBT-së, duke theksuar se liria merr kuptim të plotë vetëm kur shndërrohet në dije, punë dhe vizion.

UBT, gjatë 25 viteve të tij, ka edukuar mijëra të rinj në Kosovë, ka dhënë kontribut shkencor dhe inovativ në nivel global, dhe ka marrë pjesë aktive në ndërtimin e institucioneve dhe organizatave të vendit.
Bazuar në këto rezultate, UBT është përzgjedhur si universiteti më i mirë në botë për angazhimin dhe impaktin në shoqëri nga Organizata Botërore për Rangimin e Universiteteve, duke lënë pas universitete shumë prestigjioze ndërkombëtare.
Institucione të njohura ndërkombëtare që e kanë vlerësuar UBT-në për performancën dhe inovacionin përfshijnë: SCImago Institutions Rankings, World University Rankings for Innovation (WURI), Association of Chartered Certified Universities (ACCU), Times Higher Education.
Rektori Hajrizi përfundoi ceremoninë duke rikujtuar rëndësinë e trashëgimisë historike dhe duke theksuar përgjegjësinë e UBT-së për të vazhduar misionin e edukimit të brezave të rinj.





