Vizita e Ramës në Kosovë, Berisha: Shkaku pse ish-luftëtarët e UÇK-së po gjykohen në Hagë janë pazaret e tij në Beograd
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama sot në Prishtinë, të cilën e cilëson si “hipokrite”.
Sipas Berishës, pazaret e kryeministrit Edi Rama në Beograd, janë shkaku se pse po gjykohen në Hagë katër ish-luftëtarët e UÇK-së.
“Të dashur miq, sot në prag të pavarësisë, Edi Rama bëri një vizitë blic në Kosovë. Me këtë rast, unë dua t’ju shpreh qytetarëve të Kosovës mendimin tim se, sot në Kosovë ishte një armik i egër i Kosovës, i lirisë, i dinjitetit të qytetarëve të Kosovës. Unë e bëj këtë deklaratë sot, sepse me dëshmi të pakundërshtueshme, me akte të mirënjohura, Edi Rama, qoftë në tryeza private, qoftë në akte në publike ka dëshmuar po atë armiqësi, po atë egërsi ndaj Kosovës, sovranitetit dhe udhëheqjes së saj.
Sot ai vrapoi për të deklaruar mbështetjen për ish-udhëheqjen politike të Kosovës që ndodhet në Hagë. E kam denoncuar dhe denoncoj publikisht pretencën e prokurorëve të Hagës, si një pamflet të propagandës ultranacionaliste serbe ndaj ish-udhëheqësve politikë të Kosovës dhe të Luftës Çlirimtare të saj. E kam thënë dhe e përsëris, se ata kanë qenë aleatë besnikë, luajalë të Aleancës së Atlantikut të Veriut në terren, por jam i bindur se janë në Hagë, një nga shkaqet është vet Edi Rama me pazaret e tij të turpshme që bëri në Beograd për Kosovën.
Theksoj gjithashtu, se me histerinë e tij politike duke u përpjekur që të paraqitet si patriot, në Këshillin e Europës, ai, u them ju, iu bëri dëmin më të madh ish-udhëheqësve politikë të Kosovës në Hagë.
Por edhe sot, në histerinë e tij, duke anatemuar vendet demokratike që financojnë Gjykatën e Hagës, garantoj luftëtarët e UÇK-së, veteranët, familjet, se nuk ndihmon aspak të akuzuar, ish-udhëheqjen politike në Gjykatën e Hagës. Përkundrazi, vetëm sa krijon një klimë që ata nuk e meritojnë. Përndryshe, dua të them se, ky armik i egër është njeriu kryesor i presionit maksimal ndaj udhëheqjes së atëhershme politike të Kosovës për votimin e ligjit të Gjykatës së Kosovës në Hagë. Ligj i cili, në realitet ka norma dhe standarde të papranueshme, në raport me të drejtën ndërkombëtare.
Edhe njëherë, dënoj këtë vizitë si një akt hipokrizie të një armiku të egër që Kosova pati në Tiranë, njëlloj me Enver Hoxhën, nga viti 2013 gjer sot. Shpreh bindjen se, ish-udhëheqësit politikë të Kosovës në Hagë kanë kontribute palcore në mbrojtjen e mijëra mijëra jetëve të qytetarëve të Kosovës nga gjenocidi serb. Kanë kontribute shumë të rëndësishme në mbrojtjen e qindra qindra jetëve të qytetarëve serb në Kosovë, nga hakmarrja për shkak të angazhimit të tyre në plojën e tmerrshme anti-shqiptare.
Iu bëj thirrje gjykatësve në Hagë të gjykojnë mbi bazën e të së drejtës, ligjit dhe të shpallin pafajsinë e udhëheqësve politike në Kosovë.”

