75 Mall Live Search
20:53 / E Martë, 17 Shkurt 2026 / MSH1

Spektakli emocional i Edi Rames për të mbuluar kalbëzimin e “demokracisë” shqiptare!

Shkruan: Prof.Dr. Fadil Maloku, sociolog

Në sociologjinë e komunikimit politik, deklarata e  Edi Rames, “Tani, mund të jetë sekret shtetëror këtu në Kosovë, por nuk është sekret shtetëror edhe për mua që presidentja e Kosovës është kërcënuar… Është kërcënuar sepse nuk ka lejuar që prokurorët të dhunonin zyrën e institucionit të Presidentit”, mund të shquhet jo si politikë realiste e as politikë diplomatike, ku gjërat apo sekretet shtetërore të një vendi thuhen me eufemizëm, por si politikë e emocionalizimit, të cilën ai e përdori jo për të shprehur ndonjë solidaritet kombëtar, por për të shpërlarë mëkatet e “Ballkanit të Hapur”: ato të koketimit me Aleksander Vuçiq rreth “ndarjes së Kosovës”, pastaj ato të “solidaritetit” me Serbinë rreth insistimit kategorik për krijimin e Gjykatës Speciale (iu kujtohet skena makabre e aterrimit të tij në Prishtinë me helikopter, për të ushtruar ndikim të paprecedent mbi deputetët e Kosovës për ta votuar gjithqysh atë!?), si edhe shumë gjynahe të tjera ndaj Kosovës.

Nëse i adresohemi terminologjisë së sociologjisë së pushtetit (Weber/Bourdieu), kuptojmë se kjo deklaratë e pamatur e Edi Rames midis Prishtinës, përveç tjerash sinjalizon edhe një “promovim” absurd mes dy autoriteteve legjitime: atij juridik (prokuroria) dhe atij simbolik-politik (presidenca), ngase kur ai thotë se presidentja është “kërcënuar”, kjo i bie se ai me vetëdije e delegjitimon dhe e kërcënon qëllimisht veprimin e institucionit që ajo përfaqëson në Kosovë.

Shqiptarët e Kosovës fare nuk duhet të kenë asnjë iluzion kur është në pyetje “patriotizmi” i Edi Rames. Sepse domeni i angazhimit të tij nuk janë as Kosova e as UÇK-ja, por thjesht mbijetesa e modelit të tij të qeverisjes autokratike, e stilit “hazbullah”, ku të gjithë i nënshtrohen ambicies dhe synimit, pra egos së tij të kontrollit. Defilimi i tij në Kosovë, si imperativ të vetëm, e kishte zhvendosjen e vëmendjes nga kalbëzimi i ngadalshëm i “demokracisë” shqiptare, me shpresën se zhurma e shqetësimit për gjykimet drakonike në Hagë nga Gjykata Speciale, që ai vetë e kishte ndihmuar të instalohej, do t’i prolongojë klithmat e drejtësisë që po trokasin aktualisht në dyert e SPAK-ut në Shqipëri.

Ashtu që çdo deklarim me tone dramatike, si kjo e “sekretit” për presidenten Vjosa Osmani ka për qëllim vetëm të krijojë konfuzitet dhe gjendje dramatike, duke tentuar kështu të krijojë përshtypje dhe perceptim të gabuar për aftësinë e shtetit të Kosovës. Thënë edhe më thjesht: ai deshi të degradojë institucionet e Kosovës, duke i projektuar ato qëllimisht shumë më tepër si aulë ku prodhohen vetëm konfliktet tribale, e assesi si institucione që dinë dhe munden të menaxhojnë me rregullat dhe vlerat demokratike.

Tekefundit, ardhjen e tij në Prishtinë nuk e karakterizon se çfarë u tha prej tij, por çfarë reperkusionesh “prodhon” ajo që u tha para spektrit politik dhe gjithë publikut, i cili nuk është edhe aq naiv e harrestar sa të mos i kuptojë “kontributet” e tij në zbehjen e besimit të kosovarëve në institucionet e tyre, po as “suflerizmin” dhe koketimet e hapëta të tij me “vëllain e tij binjak” Aleksander Vuçiq rreth “Ballkanit të Hapur”, ku ra në ujdi që t’i krijojë favore hegjemoniste “botës serbe” (lexo: Serbisë së Madhe).

Fjalimi tejet “patriotik” për luftën dhe drejtësinë e Gjykatës Speciale që ai e mbajti në Prishtinë, në fakt është një supercinizëm i llojit të vet, sepse edhe “zogjtë e malit” e dinë që parlamenti që ishte atëbotë, kur përflitej për pasojat e mundshme që do t’i prodhonte Gjykata Speciale, ka refuzuar sistematikisht të njohë gjenocidin serb në Kosovë.. E “lotët e krokodilit”, që ai derdhi në ndërjohë në Prishtinë, ai me të mbrrijur në Tiranë le t’i ruaj për SPAKU-n që pritet ta qoj në harresën historike…