Mercedes ringjall “Red Pig”, koncept sekret që nderon legjendën e garave
Prodhuesi gjerman i automobilave, Mercedes-Benz, ka zbuluar një koncept të ri që rikthen në vëmendje një nga makinat më ikonike të historisë së tij – legjendaren Mercedes-Benz 300 SEL 6.8 AMG, e njohur ndryshe si “Red Pig”.
Ky model historik bëri bujë në vitin 1971, kur arriti sukses të jashtëzakonshëm në garën prestigjioze 24 Hours of Spa, duke e vendosur AMG-në në hartën e motorsportit botëror, shkruan Bild, transmeton IndeksOnline.
Tani, dekada më vonë, Mercedes i ka bërë homazh kësaj makine përmes një koncepti modern me dizajn futuristik.
Dizajn që ndërthur të kaluarën me të ardhmen
Koncepti i ri ruan siluetën klasike të sedanit të madh, por e interpreton atë me elemente bashkëkohore: grilë të theksuar përpara, ndriçim LED modern, linja agresive dhe detaje aerodinamike që i japin pamje sportive. Ngjyra e kuqe ikonike mbetet elementi kryesor vizual, duke e lidhur drejtpërdrejt me “Red Pig”-un origjinal.
Sipas mediave gjermane, modeli është zhvilluar si një projekt dizajni dhe nuk është prezantuar zyrtarisht si model prodhimi. Aktualisht, nuk ka informacione për specifika teknike apo për mundësinë e futjes në prodhim serik.

Homazh për historinë e AMG-së
“Red Pig” origjinal ishte i pajisur me motor 6.8 litër V8 dhe konsiderohet një moment kyç në historinë e AMG-së, duke dëshmuar se një sedan luksoz mund të sfidojë makinat sportive në pistë.
Me këtë koncept, Mercedes-Benz jo vetëm që rikthen në skenë një ikonë të së kaluarës, por edhe sinjalizon se trashëgimia sportive vazhdon të jetë pjesë e ADN-së së markës./IndeksOnline/


