75 Mall Live Search
17:55 / E Shtunë, 21 Shkurt 2026 / MSH1

​Rivarrimi i Agron Gjocajt rikthen kujtesën e luftës, Ramosaj: Dëshmorët meritojnë nderim e respekt të përhershëm

Në fshatin Baballoq të Deçanit është mbajtur sot ceremonia e rivarrimit të dëshmorit Agron Gjocaj, i cili për 28 vite ishte në listën e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ceremonia u shoqërua me nderime ushtarake, homazhe dhe fjalë përkujtimore nga përfaqësues institucionalë dhe bashkëluftëtarë.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, theksoi se liria e Kosovës ka qenë e shtrenjtë dhe është fituar me sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Njerëzit e kanë kuptuar cila është lavdia e luftëtarit shqiptar, cila është lavdia e ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo po jetojmë mes dy botëve; një kohë kur kemi pasur nevojë për këtë liri, kanë qenë burra e gra si Agroni, që po e rivarrosim sot, të cilët i kanë dalë zot këtij vendi, e deri në ditën e sotme këto vlera jo ndoshta që e kanë atë që e meritojnë, atë respektin e duhur.

Para 10 ditësh ne e kemi pasur një varrim të tillë edhe në Jabllanicë, sot edhe një rivarrim në Baballoq për luftëtarin, dëshmorin Agron Gjocaj, i cili po na jep një mesazh të gjithëve se sa e zorshme është dhe sa e shtrenjtë ka qenë me jetua këtë ditë të lirë, me krenarinë tonë e me i rrit fëmijët. Shpresoj që edhe Avnia shpejt do të bashkohet me bashkëluftëtarët dëshmorë në këtë kompleks”, tha Ramosaj.

Ndërsa, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, u shpreh se çdo kthim i eshtrave të një personi të zhdukur është një plagë që rihapet për familjen, por njëkohësisht edhe një hap drejt mbylljes së një kapitulli të dhimbshëm.

“Pas më shumë se 27 viteve, pritje të pashuara, pas më shumë se 27 vite dhimbje që nuk është tretur, dhimbje që gjithmonë është mposhtur me krenarinë që nuk u përkul, sot po e rivarrosim me nderime të larta dëshmorin, birin e kësaj toke, në tokën e Kosovës së lirë që e deshti aq shumë dhe për të cilën dha gjithçka.

Janë 27 vite ankthi, shprese, por edhe qëndrese dinjitoze për familjen Gjocaj dhe për të gjithë bashkëluftëtarët e Agronit; vite gjatë të cilave familja mbajti gjallë emrin, kujtimin dhe dinjitetin e tij, duke mos e lënë që harresa ta mbulojë sakrificën. Agron Gjocaj u zhduk padrejtësisht, por asnjëherë nuk është zhdukur nga zemrat e familjes dhe nga zemrat tona”, theksoi Gara.

Rivarrimi i dëshmorit Agron Gjocaj shënon një tjetër kapitull të dhimbshëm të luftës në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.