75 Mall Live Search
14:16 / E Diele, 22 Shkurt 2026 / B XH

Rrëzimi i shtyllave elektrike lë pa rrymë disa familje në fshatin Ramun të Pejës

Disa familje në fshatin Ramun të Pejës kanë mbetur pa energji elektrike tash e gjashtë ditë, pas rrëzimit të dy shtyllave elektrike nga erërat e forta që përfshinë këtë zonë.

Banori i këtij fshati, Adem Berisha në një prononcim për IndeksOnline ka bërë të ditur se situata vazhdon të jetë e njëjtë prej disa ditësh, pa asnjë ndërhyrje për riparim.

“Dy shtylla elektrike janë rrëzuar nga erërat e forta. Ekipet kanë ardhur dhe e kanë ndërprerë rrymën, pasi ka pasur rrezik për kalimtarët, por më pas askush nuk është kthyer për ta rregulluar problemin”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje, deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Ai ka shtuar se shtyllat elektrike janë dëmtuar dhe duhet zëvendësimi i tyre.

Ndërsa familjet po përballen me vështirësi të shumta për shkak të mungesës së energjisë elektrike në këto temperatura të ulëta. /IndeksOnline/