75 Mall Live Search
15:52 / E Diele, 22 Shkurt 2026 / b l

Trump i befasuar nga mosdorëzimi i Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është i befasuar nga qëndrimi i qeverisë iraniane, e cila nuk ka pranuar të dorëzohet pavarësisht kërcënimeve dhe pranisë së shtuar ushtarake amerikane në rajon.

Lajmin e bëri të ditur i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, në një intervistë për Fox News.

Sipas Witkoff, Trump është “kurioz” për arsyet pse Teherani nuk ka pranuar marrëveshjen për programin bërthamor, duke shtuar se është e vështirë të bindet udhëheqja iraniane të tërhiqet, pavarësisht presionit ushtarak dhe politik nga Uashingtoni.

Trump i ka dhënë Iranit një afat deri në fillim të marsit për të arritur një marrëveshje, duke paralajmëruar se po shqyrton një “sulm të kufizuar ushtarak” në rast mosarritjeje të marrëveshjes. Shtetet e Bashkuara së fundmi kanë rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Gjirin Persik, duke rritur tensionet në rajon.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani planifikon të paraqesë një draft marrëveshjeje me SHBA-në në ditët e ardhshme.