75 Mall Live Search
09:18 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / Z S

Ju gjetën 57 kg kanabis në makinë, arrestohen dy persona në Vlorë

Policia e Vlorës mbrëmjen e djeshme ka vënë në pranga dy persona, të cilëve ju gjetën në makinë 57 kg lëndë narkotike.

Në kuadër të operacionit të koduar “Brotherhood”, janë vënë në pranga F. M., 41 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, Vlorë dhe L. L., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë, Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Sipas raportimit nga policia, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. L., u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri automatike, model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë luftarakë, raporton Euronewsalbania.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për dy shtetas që dyshohet se merreshin me transport dhe shitje të lëndës narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Brotherhood”.

Shërbimet e policisë ndaluan dhe kontrolluan automjetin e dyshuar tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin shtetasit F. M. dhe L. L.

Nga kontrolli i automjetit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e përgatitur për shitje.

Në vijim të operacionit dhe veprimeve procedurale, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit F. M., banues në fshatin Trevllazër, Vlorë, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi tjetër kanabisi, gjithsej rreth 57 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.