Në Spitalin e Mitrovicës nis aplikimi i vaksinës BCG për parandalimin e tuberkulozit te të porsalindurit
Në Spitalin e Mitrovicës ka nisur aplikimi i vaksinës BSZH (BCG) për parandalimin e tuberkulozit te të porsalindurit.
Siç ka njoftuar ky spital më 23.02.2026, procesi i vaksinimit po bëhet në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Mitrovicë.
Postimi i plotë:
Në Spitalin e Mitrovicës nis aplikimi i vaksinës BSZH
Vaksinimi me BSZH (BCG) tashmë ka filluar të aplikohet te të porsalindurit në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në Mitrovicë. Deri tani ky proces nuk ishte kryer në spital.
Vaksina po aplikohet pas lindjes, nga stafi i infermierëve të Repartit të Neonatologjisë, nën mbikëqyrjen e rregullt të mjekëve
Vaksina BSZH (BCG) është vaksina që përdoret për parandalimin e tuberkulozit (TBC), një sëmundje infektive që prek më së shumti mushkëritë, por mund të përfshijë edhe organe të tjera të trupit.
Ky proces po realizohet sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të foshnjave që në ditët e para të jetës.
Sipas mjekëve pediatër/neonatologë, vaksina është e sigurt, e testuar dhe rekomandohet nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare si masë efektive parandaluese.
Kjo vaksinë është veçanërisht e rëndësishme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pasi i mbron nga format e rënda të tuberkulozit, si meningjiti tuberkular dhe tuberkulozi i përhapur./Indeksonline/

