75 Mall Live Search
15:27 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / b l

Gjykimi i ish-krerëve, pritet aktgjykimi brenda tre deri pesë muajsh

Gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e pret vetëm e shpalljen e aktgjykimit.  Ndërsa, avokatë të akredituar në Hagë shprehin besimin se vendimi i shkallës së parë do tëshpallet brenda një afati të arsyeshëm prej tre deri pesë muajsh, pavarësisht vëllimit të madh të provave dhe dëshmitarëve.

Avokati, Tahir Rrecaj vlerëson se trupi gjykues do t’u përmbahet afateve dhe se vendimi i shkallës së parë nuk pritet të vonohet më shumë se pesë muaj.

Sipas tij, palët i kanë  paraqitur të gjitha provat dhe dëshmitarët, ndaj gjykata tashmë ka një pasqyrë të qartë të çështjes dhe kjo periudhë është e mjaftueshme për të marrë një vendim.

““Po, unë besoj që ata do t’i përmbahen atyre afateve kohore, duke pasur parasysh se rasti është shumë voluminoz, ka shumë dëshmitarë, ka shumë prova materiale. Besoj që ata do t’i përmbahen atij afati, brenda tre muajve, eventualisht brenda pesë muajsh, ta përfundojnë marrjen e vendimit, aktgjykimit dhe ta shpallin aktgjykimin, që shpresoj që ai aktgjykim të jetë lirues sepse nga ajo që kam përcjellë këtë proces gjyqësor, nuk rezulton që akuzat e Prokurorisë dhe pretendimet e Prokurorisë të rezultojnë me një aktgjykim fajësues për zotin Thaçi dhe për të tjerët….03’57 Unë besoj shumë që nuk do të shtyhet më tepër se pesë muaj marrja e vendimit përfundimtar, për shkak se trupi gjykues edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor duhet t’i analizojë, t’i shqyrtojë, t’i vlerësojë. Ashtu që kanë njohuri pothuajse të mjaftueshme lidhur me gjithë procesin, se çfarë ka ndodhur, po tani duhet me bërë analizat e provave, krahasime, dëshmive, dëshmitarëve, besueshmëria e tyre e gjëra të tjera që një periudhë kohore prej pesë muajsh është jashtëzakonisht e mjaftueshme”, deklaroi Rrecaj.

Mendim të njëjtë ka edhe kolegu i tij, Skënder Musa. Megjithatë, ky beson se nuk do të ketë nevojë për afate shtesë dhe se vendimi duhet të jetë i drejtë dhe i ligjshëm.

“Koha që e kanë caktuar këta është tre muaj plus dy muaj,  do të thotë rreth pesë muaj, gjashtë. Është problem me e specifiku saktë edhe as ata vetë nuk e dinë se sa ka me i marrë kohë, për shkak se janë mbi 11,000 prova që do të shqyrtohen dhe një provë  nuk e ka një faqe, varet sa është voluminoze. Në anën tjetër në bazë të nenit 369 dhe 364, këta janë të obliguar me i analizua të gjitha provat një ka një. Pastaj të gjitha së bashku me i marrë diferencat apo në aspektin juridik ku thojmë ne kundërthëniet e provave, me e konsiderua, me i vlerësua ato prova, a janë të besueshme apo jo…. Nuk besoj që do të ketë nevojë për ndonjë, ndonjë afat shtesë, edhe pse është mirë që të merret vendimi në kohë sa më të shkurtër, prapëseprapë, është e domosdoshme që ata me i analizua provat kundërthënëse edhe propozimet e prokurorëve, edhe propozimet e mbrojtjes, në mënyrë që të merret një vendim i drejtë dhe i ligjshëm”, theksoi ai.

Krahasuar me kohën që iu është dashur gjyqtarëve për të shpallë aktgjykimet në rastet e ngjashme, avokatët theksojnë se  bazuar në praktikat e gjykimeve për krime lufte që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, vendimet gjyqësore zakonisht janë shpallur brenda një periudhe tre mujore pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Një afat i tillë avokati Musa pret që të ndiqet edhe në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Praktikat gjyqësore për krime lufte janë të njohura qysh prej ka përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe zakonisht kanë marrë shumë kohë në shqyrtim, në procese gjyqësore, mirëpo në vendimmarrje nuk kam marrë më shumë kohë se tre muaj, aq sa e mbaj mend. Edhe në gjyqet kundër nazistëve në Gjermani dhe në Japoni, nuk kanë marrë kohë shumë në shpallje të aktgjykimit, në trajtim të lëndës, shqyrtimit të provave. Mirëpo, krejt varen nga specifikat e rasteve individuale. Ky rast është bërë më voluminoz për shkak se ju ka lejuar Serbisë me dërgua materiale dhe prova dhe ata pastaj i kanë fabrikuar prova, kanë, kanë krijuar dëshmitarë të rrejshëm e kështu me radhë, por gjykata është e obliguar t’i shqyrtojë të gjitha ato prova, por besoj që në afatin e parë, brenda tre mujorëve mund të ketë  aktgjykim”, tha Musa.

Rrecaj që dikur ishte gjyqtar, thekson se çdo rast është specifik dhe kërkon kohë të mjaftueshme për analizimin e të gjitha provave materiale e dëshmitare.

“ Secili rast është specifik, prandaj krahasime të tilla nuk mund të bëhen. Ndoshta mund të bëhen përafërsisht krahasime, por secili rast është specifik dhe trupi gjykues vlerëson se sa i duhet kohë që t’i analizojë, t’i vlerësojë të gjitha ato prova, provat materiale, personale dhe të marrë një vendim në fund të shqyrtimit gjyqësor”, thotë avokati.

Më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara u dhanë fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Edhe në ditën e mërkurë kur iu dha fjala katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan sërish të pafajshëm për akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. 

Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së për krime lufte.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.