75 Mall Live Search
16:33 / E Hënë, 23 Shkurt 2026 / F.R

Kurti: LVV nuk e ka një anëtarë me librezë partie që synon presidentit

Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë anëtar me librezë partie që synon postin e presidentit, duke theksuar se zgjedhja e kreut të shtetit duhet të bëhet përmes një konsensusi më të gjerë politik.

Pas takimit me kryetarin e Lumir Abdixhiku, Kurti tha se për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend, andaj sipas tij, partitë politike duhet të bien dakord për një emër të përbashkët.

Ai falënderoi Abdixhikun për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar se pa votat e opozitës ato nuk do të kalonin.

“Tash kemi një sfidë tjetër, sepse sërish na duhen dy të tretat për çështjen e presidentit. Në njërën anë, ne nuk kemi garuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit si LVV me ndonjë emër të përveçëm që kemi thënë se do të jetë kandidati ynë. LVV nuk ka ndonjë anëtar me librezë partie që synon të bëhet president. Por njësoj vlen edhe për dy partitë e tjera të mëdha dhe tradicionale, PDK dhe LDK”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, kjo situatë e hap rrugën për një kandidat konsensual që do të mund të merrte mbështetjen e së paku 2/3 të deputetëve që marrin pjesë në votim.

“Ne si parti nuk kemi pasë kandidatë nga radhët tona. Në vijim, ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku 2/3 e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke përzgjedhur një emër të përveç në fletëvotim, ose subjektet politike merren vesh për njëra tjetrën për rrugën përpara”, u shpreh ai.