Mbi 2 mijë infermierë në QKUK, por familjarët detyrohen të kujdesën për pacientët, paguajnë edhe nga 3 euro për një karrige!
Mbi 800 infermierë me shkollë të mesme, 1 mijë e 054 me Bachelor dhe 227 kryeinfermierë, janë të punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
E megjithatë kujdesin per pacientët e shtrirë në spitalet e QKUK-së duhet ta bëjnë familjaret e tyre. Ata duhet të qëndrojnë 24 orë me pacientin e shtrirë në klinikat e QKUK-së.
E familjarët të cilët detyrohen ta lënë punen e të kujdesën për familjarin e shtrirë në spital, tregojnë per trajtim aspak të kënaqshëm, që u bëhët pacienteve në klinikat e QKUK- së.
Familjarët blejnë terapi, informojnë infermierët në raste kur përfundon infuzioni dhe gjithçka tjetër, që pacientit i duhet gjatë kohës sa qëndron i shtrirë në klinikë.
Atyre u janë siguruar disa karrige të vjetra, në të cilat duhet ta kalojnë natën ulur dhe për këtë gjë madje duhet të paguajnë nga 3 euro. E kryejnë punën të cilën dikush tjetër do të duhej ta bënte dhe spitali nga ta kërkon para.
V. B. ishte detyruar të qëndrojë në Klinikën e Neurologjisë së bashku me nënën e saj. Thotë se në momentin që nëna iu pranua në klinikë, iu tha që duhet me të të qëndrojë 24 orë një familjar i pacientit, pasi që duhet të përkujdeset për të.
E infermierët sipas saj vazhdojnë të sillen në mënyrë arrogante me familjarët e pacienteve, në momentin që ata kërkojnë ndihmë nga to.
“Nëna nuk u ndje aspak mirë pak minuta pasi u pranua në klinikë. Vrapova të kërkoja ndihmë nga një infermiere në repart, e cila e kishte sjelljen e tmerrshme karshi meje. Ajo u nervozua pasi që kërkova ndihmë nga ajo. Ne familjarët jemi të detyruar të qëndrojmë 24 orë në klinikë e të kujdesemi për nënën. Pasi që kështu na u tha në momentin që erdhem këtu. Askush nga motrat nuk kujdesej dhe se këtë punë ua kanë lënë në dorë familjarëve të pacientëve. Ne jemi detyruar ta lëmë punën dhe të qëndrojmë 24 orë në spital”, tha ajo.
Por Qendra Klinike Universitare gjithë këtë e arsyeton duke pohuar se një praktikë e tillë është e pranishme dhe në vendet perendimore.
“Sa i përket çështjes së përcjellësve të pacientëve, kjo praktikë është e pranishme edhe në vendet perëndimore, ku familjarët mund të qëndrojnë pranë të afërmve të tyre gjatë trajtimit”, thuhet në përgjigjjen e QKUK-së për Indeksonline.
QKUK-ja madje nuk e ka as në agjendë ndryshimin e kësaj gjendje. Në përgjigjen e QKUK-së për Indeksonline, thuhet se po synojnë krijimin e kushteve për përcjellësit e pacientëve.
“Njëkohësisht, QKUK synon të sigurojë kushte minimale për përcjellësit e pacientëve, përfshirë hapësira për ulje dhe ambiente të përshtatshme, veçanërisht në klinikat ku pacientët janë në trajtim post-operativ apo kërkojnë kujdes të veçantë. Theksojmë se bashkëpagesa për përcjellësit nuk zëvendëson në asnjë rrethanë kujdesin infermieror dhe shërbimet profesionale shëndetësore që u ofrohen pacientëve.”, thuhet në përgjigjejn e QKUK-së.
Familjarët vazhdojnë të përkujdesën pacientët dhe njëkohësisht të paguajnë për këtë.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës vepron në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2024, Shtojca 4, numër rendor 5. Sipas këtij udhëzimi, përcjellësit e pacientëve mbi moshën 15 vjeç janë të obliguar të paguajnë një tarifë prej 3 (tre) euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së. Ky obligim zbatohet në të gjitha klinikat, me përjashtim të Klinikës së Onkologjisë dhe klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së. Nga pagesa përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve nën moshën 15 vjeç”, thuhet në përgjigjjen e QKUK-së. /Indeksonline/

