Debat në komision, kërkohet publikimi i kontratave për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike
Kontrata për shitjen dhe blerjen e energjisë elektrike në pesë vjetët e fundit është bërë temë e diskutimit në mbledhjen e sotme të Komisionit për ekonomi.
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kërkoi që në kuadër të planit të punës së komisionit të përfshihen edhe kontratat e shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike në pesë vitet e fundit.
“Nëse tema e kontratave dhe shitblerjes së energjisë elektrike, bashkë me anekse, kërkon diskutim më të gjatë, më shumë se javën tjetër me qenë në rend të ditës unë nuk besoj se ju nevojitet më shumë kohë për të diskutuar tutje. Sa është blerë energji elektrike dhe sa është shitur. Sa për propozimin e zotëri Ramadani, pajtohem. Për mua prej vitit 2000 me nis nuk prish punë. 2000–2026 dhe krejt shihet pavarësisht partisë. Nuk është çështje politike pasi kemi me pa krejt partitë se sa është dëmtuar buxheti i qytetarit.”
Mirëpo, deputetët e mazhorancës kërkuan që kjo çështje të diskutohet në mbledhjen e radhës, madje edhe të zgjerohet prej periudhës 2000 e tutje.
Kryetarja e komisionit, Rozeta Hajdari, tha se nuk e dekurajon kërkesën e deputetes së LDK-së, mirëpo duhet të merren parasysh edhe kërkesat e deputetëve të LVV-së.
“Nuk e dekurajoj kërkesën e zonjës Janina nëse kërkon ad-hoc. E di se nuk mund të pajtohemi të gjithë me këtë kërkesë, por për transparencë, qasje konstruktive si kryesuese e komisionit nuk e dekurajoj një propozim. Qëllimi është që fillojmë në mënyrë sa më konstruktive, por nëse kjo bëhet një normë e shpeshtë që të hedhim në votim çdo propozim, atëherë do të jetë më e vështirë për komisionin. Të diskutojmë këtë në takimin e radhës dhe t’i shtrojmë të gjitha datat e nevojshme edhe me kërkesat e juaja dhe të deputetëve dhe të kemi një qartësi për të gjitha periudhat sa i përket sektorit të energjisë”, theksoi Hajdari.
Krahas kësaj, komisioni miratoi fushëveprimtarinë e tij për këtë mandat të legjislaturës së dhjetë.

