75 Mall Live Search
22:25 / E Martë, 24 Shkurt 2026 / MSH1

Gërvalla: Audio-incizimi, dëshmi e gjendjes shqetësuese në sistemin prokurorial

Ministrja Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas publikimit në media të një audio-incizimi nga takimi i U.D. kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive, i mbajtur më 20 janar 2026.

Sipas saj, publikimi i këtij incizimi është shqetësues dhe pasqyron gjendjen në të cilën ende ndodhet sistemi prokurorial në vend.

“Gjuha dhe diskutimet denigruese të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, kundërshtimi dhe rezistenca e tyre e vazhdueshme ndaj reformave dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial” shkroi Gërvalla, në Facebook.

Ky është postimi i plotë i saj:

Publikimi i sotëm në media i një audio-incizimi nga takimi i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët e prokurorive më 20 janar 2026 është shqetësues dhe pasqyrë e gjendjes në të cilën ende ndodhet sistemi prokurorial.

Reforma në sistemin prokurorial dhe në atë të drejtësisë në përgjithësi, ka qenë dhe mbetet ndër top prioritetet e Republikës së Kosovës.

Më 5 qershor 2025, ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës kishin hyrë në fuqi, duke shënuar kështu fillimin e jetësimit të reformës në sistemin prokurorial.

Reformimi i sistemit prokurorial, kishte filluar pikërisht për të eliminuar korporatizmin dhe grupacionet e ndryshme në sistem, por gjithashtu, për të forcuar drejtësinë dhe për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e sistemit prokurorial.

Gjuha dhe diskutimet denigruese të krerëve dhe ish-krerëve të sistemit prokurorial, kundërshtimi dhe rezistenca e tyre e vazhdueshme ndaj reformave dhe mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre, paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë rëndë integritetin dhe funksionimin profesional të sistemit prokurorial.

Dënojmë ashpër gjuhën e tillë denigruese e cila është në kundërshtim me etikën dhe standardet profesionale të prokurorit, por gjithashtu, kërkojmë zbatimin e reformave dhe ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, për t’i dhënë sistemit prokurorial profesionalizmin, llogaridhënien dhe efikasitetin e munguar.

Nuk ndalemi së përsërituri se reformat në drejtësi janë dëshmi e vendosmërisë tonë për të ndërtuar një shtet ku ligji nuk negocion, ku përgjegjësia nuk shmanget dhe ku drejtësia nuk njeh emër, pozitë apo ndikim.