Ministrja e Jashtme e Shqipërisë takohet edhe me Haxhiun
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Shqipërisë Elisa Spiropali, është pritur në një takim edhe nga kryetarja e kuvendit Albulena Haxhiu.
Ajo më herët është takuar edhe me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministër për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca si edhe me presidenten Vjosa Osmani.
Më tej, ministrja do të pritet në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Spiropali do të zhvillojë gjithashtu takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.
Takimet do të fokusohen te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët qeveritare G2G dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara.
Po ashtu, në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore kombëtare si hekurudha Durrës-Prishtinë, shtimin e projekteve infrastrukturore dhe energjitike të përbashkëta, pa lënë mënjanë koordinimin në mbështetje të faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimin me diasporën.
Gjatë vizitës, Spiropali do të theksojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si edhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.




