75 Mall Live Search
18:36 / E Enjte, 26 Shkurt 2026 / Z S

Integrimi në BE dhe anëtarësimi në KiE, temë diskutimi mes Konjufcës dhe Guerotit

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Sipas njoftimit të MPJD-së, gjatë takimit u diskutua për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Theks i veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve, si dhe forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet dy vendeve.

Tutje në njoftim potencohet se Konjufca theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me Francën për realizimin e objektivave ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Republika e Kosovës vlerëson partneritetin dhe përkrahjen e Francës, dhe mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, u theksua në komunikatën e ministrisë.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, ambasadori e uroi zëvendëskryeministrin për detyrën dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Francës për vazhdimin e partneritetit të ngushtë me Republikën e Kosovës.