75 Mall Live Search
11:38 / E Premte, 27 Shkurt 2026 / P M

Morën ryshfet për vendosjen e njësorit elektrik një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm –
Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve B.B. dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale pranimi i ryshfetit në sektorin privat nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në departamentin për
humbje të energjisë elektrike dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejte i kanë kërkuar shumën prej katërqind (400.00) € të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t’i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njësorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do të ndanin ndërmjet katër personave, me ç’rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.