I burgosuri u arratis dje gjatë trajtimit në Onkologji, inicohet rast ndaj tre zyrtarëve korrektues
Shërbimi Korrektues njoftoi dje se një pacient i hospitalizuar në Repartin e Onkologjisë në QKUK është arratisur.
Sipas raportit 24-orësh, me vendim të prokurorit është iniciuar rasti për mundësinë e arratisjes së personit të privuar nga liria ndaj tre zyrtarëve korrektues.
“Pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar, ndërsa procedurat lidhur me rastin vazhdojnë sipas procedurës së rregullt”, thotë PK.
Burime të IndeksOnline pohojnë se i burgosuri në fjalë është Florim Morina, 45-vjeçar.
I dënuari në fjalë ishte hospitalizuar më 16 shkurt nga Qendra Korrektuese në Dubravë në QKUK, në repartin e Onkologjisë.
Ai është i dënuar për veprën penale “Vjedhje e Rëndë”, teksa ishte arrestuar më 24 tetor të vitit të kaluar, me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

