Sfida e zgjedhjes së Presidentit
Shkruan: Halit Krasniqi
Në këto pak orë që kanë mbetur për zgjedhjen e presidentit, nuk vërehet vullnet te asnjëri nga subjektet parlamentare për ta krijuar formulën e zgjidhjes.
Presidentja e tanishme e ka mbështetjen mekanike të shumicës së thjeshtë të mazhorancës, por jo edhe vullnetin e lidershipit të saj për ta krijuar mbështetjen e dy të tretave, sikurse as vullnetin e dy subjekteve më të mëdha opozitare, madje as për të qëndruar në rundin e tretë të votimit për kandidaturën e saj. Jo se është e pamundur të bëhet kjo, por ato llogarisin se është momenti ideal për të ndikuar në prishjen e kësaj mazhorance, rrjedhimisht presin përfitimet e tyre në një realitet të ri politik.
Pavarësisht dëmeve që do t’i krijohen pozitës së brishtë të vendit tonë, në këto rrjedha gjeopolitike me tronditje në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk ka shenja brengosjeje nga lidershipi as i mazhorancës e as i opozitës.
Gjithashtu, dy figura të respektuara – njëra politike dhe tjetra akademike – që janë deklaruar të gatshme për të kontribuar në këto rrjedha me profilet e tyre identitare, nuk kanë ofruar dëshmi faktike që mund ta plotësojnë kriterin kushtetues të kandidimit.
Në vorbullën politike të Kosovës ka pak emra që nuk i përkasin drejtpërdrejt ndonjë partie, që nuk prodhojnë armiqësi emocionale dhe që mbajnë peshë morale mbi të gjitha kampet.
Duhet ta vlerësojmë se kapitali moral është shumë simbolik. Këtë fakt e ka pranuar kryeministri dhe lidershipi i mazhorancës, prandaj edhe ka propozuar një figurë të respektuar me peshë specifike dhe me simbolikën e saj.
Mënyra dhe momenti kur e ka publikuar këtë propozim nuk kanë pasur kujdesin e duhur, sepse ky përcaktim duket se është bërë për ta anashkaluar kandidaturën e presidentes së tanishme dhe për ta sfiduar kampin opozitar, duke tentuar të përfitojë nga simbolika e identitetit të propozuar në këtë moment kaq të rëndësishëm.
Tani është fare e qartë se nuk ka pasur vullnet për të krijuar klimë negocimi me subjektet parlamentare, për ta paraqitur si kandidaturë të përbashkët unifikuese, sepse trashëgimia e familjes Jashari është simbol unifikues kombëtar, jo pronë e një partie dhe, si e tillë, e vështirë për t’u injoruar publikisht pa kosto politike.
Por këtë propozim të lidershipit të mazhorancës nuk e ka pranuar i propozuari i tij, prof. dr. Murat Jashari. Ai, me një deklaratë shumë dinjitoze dhe me një qëndrim akademik aspak tundues, e ka refuzuar vendosmërisht.
Përshtatshmëria me profilin kushtetues të presidentit
Duke qenë se profili i tij është intelektual, i matur në qëndrime, jo partiak aktiv, me reputacion etik dhe me fizionomi akademike, ai me këto karakteristika përputhet pothuajse në mënyrë perfekte me modelin: president konsensual – garant institucional.
Ky është pikërisht lloji i figurës që: Lëvizja Vetëvendosje e ka piketuar si figurë kombëtare, por nuk është kujdesur ta ndërtojë komunikimin me të për ta marrë aprovimin e tij; as me PDK-në dhe LDK-në nuk ka bërë konsultime që mund ta votojnë pa u ndjerë të nënshtruara politikisht; duke llogaritur edhe në minoritetet jo-serbe që do të mund ta shihnin si figurë neutrale.
Rrjedhimisht, teorikisht është profil optimal për të arritur mbi 80 vota.
Ndikimi në relacionet ndërkombëtare
Janë edhe disa aspekte të rëndësishme që kanë një bazë të fortë në psikologjinë diplomatike dhe simbolikën shtetërore – jo vetëm si ndjesi emocionale, por edhe si instrument real i “soft power”.
Në diplomacinë moderne, sidomos për shtete të vogla si Kosova, figura e presidentit shpesh ka peshë më shumë simbolike sesa ekzekutive. Edhe pse kompetencat e përshkruara në Kushtetutën e Kosovës janë të rëndësishme, simbolika e figurës së prof. dr. Murat Jasharit, me tiparet që e karakterizojnë, në tryeza ndërkombëtare ndikon drejtpërdrejt në perceptim, besueshmëri dhe simpati politike.
Në marrëdhënie ndërkombëtare ekziston fenomeni i njohur si “legjitimiteti moral”, i cili krijon kapital politik pa presion formal. Kur një përfaqësues shteti përfaqëson histori sakrificash kolektive dhe nuk shihet si politikan karriere, por si figurë me kredenciale etike, bashkëbiseduesit ulin rezistencën psikologjike, rrisin respektin dhe janë më të prirur për mirëkuptim. Kjo quhet “authority without coercion”.
Në takime me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe me shtete skeptike për njohjen e Kosovës, një profil i tillë krijon qasje më njerëzore dhe rrit kredibilitetin moral.
Një figurë e tillë perceptohet si jokorruptive, jo oportuniste dhe jo prodhim i pazareve partiake. Kjo rrit besimin personal, i cili në diplomaci është thelbësor.
Konkludim
Konkludimi racional i drejtpërdrejtë është i qartë: në planin ndërkombëtar, një figurë e tillë ka potencial të jetë më efektive se shumica e politikanëve tradicionalë. Sepse ka autoritet moral, nuk ngjall cinizëm, krijon empati të menjëhershme dhe komunikon profesionalisht.
Për një shtet si Kosova, ky është aset strategjik, jo thjesht simbolik.
Për këto arsye, të gjithë kryetarët e partive parlamentare dhe pretendentët eventualë do të duhej të deklaronin mbështetjen publikisht për prof. dr. Murat Jasharin, duke kërkuar prej tij drejtpërdrejt dhe vendosmërisht rishqyrtimin e qëndrimit të tij refuzues.

