Operacioni i madh i forcave speciale në Shqipëri
Një operacion i befasishëm i forcave speciale është zhvilluar në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, në kuadër të një kontrolli të gjerë sigurie. Aksioni është realizuar nga efektivët e RENEA, të cilët kanë ndërhyrë në terren duke rrethuar një perimetër të gjerë në zonë.
Operacioni vjen pas arrestimit të Florjan Plaku në Orikum dhe sekuestrimit të telefonit të Pole Qorri, ndërsa hetimet kanë vijuar prej disa kohësh nga SPAK. Burime për A2 CNN nga policia e Vlorës bëjnë me dije se disa eksponentë të dyshuar kriminalë kanë qenë prej kohësh nën vëzhgim, çka ka çuar në ndërhyrjen e sotme në këtë zonë.

Aksioni është organizuar nga forcat RENEA në bashkëpunim me SPAK, ndërsa më pas është kërkuar edhe mbështetja e Policisë së Vlorës. Në operacion është përfshirë gjithashtu edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Sipas informacioneve paraprake për A2 CNN, në operacion janë angazhuar rreth 40 efektivë të forcave speciale dhe rreth 10 mjete, përfshirë edhe automjete të blinduara. Aksioni është monitoruar edhe nga ajri përmes një droni, i cili ka shërbyer për të kontrolluar zonën dhe për të koordinuar veprimet në terren.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për objektivin e operacionit apo nëse ka persona të shoqëruar. Pritet që Policia e Shtetit të japë më shumë detaje në vijim lidhur me aksionin e zhvilluar në këtë zonë të Vlorës.

