Arrestohet një person në Mitrovicë të Veriut për tentativë vrasjeje – policia gjen armë, granata dhe drogë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e 6 marsit në rrugën “Anri Dinan” në Mitrovicë të Veriut.
Sipas policisë, rreth orës 21:20 është pranuar informacion nga Spitali Rajonal i Mitrovicës së Veriut se një person ishte paraqitur për trajtim mjekësor me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.
Dyshohet se incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me një qiradhënie. Sipas hetimeve fillestare, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht e kanë sulmuar fizikisht viktimën dhe më pas njëri nga ta e ka goditur me thikë katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pas veprimeve të shpejta operative, policia ka arritur të identifikojë automjetin e përdorur nga të dyshuarit, i cili ishte i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes dhe është sekuestruar.
Më pas është identifikuar edhe vendndodhja e njërit prej të dyshuarve. Policia ka ndërhyrë në lokacionin ku ndodhej ai dhe, pas një përpjekjeje për t’u larguar, ka arritur ta arrestojë në adresën e familjarëve të tij në Mitrovicë të Veriut.
Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe mjetin e mprehtë (thikën) që dyshohet se është përdorur në rast. Po ashtu, policia ka gjetur edhe armë dhe substanca narkotike si në vijim: një armë e gjatë AK-47, 34 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një karikator me 29 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një kuti me 15 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një granatë dore M-75, një antiplumb, dy shok-bomba, një flakadan, dy thika, një peshore, bimë narkotike, një mulli për bluarje, qese najloni dhe qese folie, një cigare e dyshuar si marihuanë, maica me mbishkrime në cirilik, si dhe një shumë parash të shtetit të Serbisë.
Njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.
I dyshuari B.I., i lindur në vitin 2000, është shoqëruar në stacion policor, ku në prani të avokatit mbrojtës ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të prokurorit të shtetit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia njofton se në këtë rast dyshohet të jenë të përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në arrati dhe janë duke u kërkuar nga autoritetet.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar inicimin e rasteve penale për “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”./IndeksOnline/

