75 Mall Live Search
12:40 / E Shtunë, 07 Mars 2026 / A

Si e prek lufta në Iran ekonominë e Kosovës?

Zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas luftës së nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit, pritet të ndikojnë në ekonominë kosovare duke krijuar pasiguri, vlerëson Sytrime Dervisholli, eksperte e tregtisë.

Ajo pohon se efektet janë vërejtur menjëherë, me rritjen e çmimit të karburanteve, veprim të cilin ajo e cilëson të panevojshëm.

“Të gjitha kompanitë kanë rezerva të karburanteve, kanë pasur sinjale se në Lindjen e Mesme mund të ndodhë diçka”, thotë ajo.

Sipas Dervishollit, në këtë situatë nuk mund të parashikohet saktësisht se në cilët sektorë do të rriten çmimet në Kosovë, si efekt zinxhir i rritjes së çmimeve globalisht.

Ajo thekson se rritja e çmimeve të produkteve në Kosovë do të ndikohet kryesisht si shkak i rritjes së shpenzimeve në transportin e mallrave.

“Me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, kompanitë transportuese do të detyrohen të gjejnë rrugë të tjera për transportin e mallrave, të cilat kushtojnë më shumë dhe do të marrin më shumë kohë”, transmeton rel.

Sipas saj, i gjithë furnizimi i Kosovës me mallra varet nga transporti i kompanive të huaja.

Megjithatë, ajo konsideron se, në këtë situatë, shteti duhet të rrisë inspektimin dhe të monitorojë ndryshimet e çmimeve në treg, për t’i parandaluar keqpërdorimet.