Konjufca uron Hoxhën: Kosova dhe Shqipëria, si popuj të një kombi, ndajnë një lidhje të qëndrueshme
Ministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Ferit Hoxhën, për emërimin e tij si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Përmes një postimi në “X”, Konjufca shprehu urimet për detyrën e re të Hoxhës, duke theksuar lidhjen e veçantë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai vlerësoi se dy vendet, si popuj të një kombi, ndajnë një lidhje të qëndrueshme të rrënjosur në histori, gjuhë dhe sakrifica të përbashkëta.
Konjufca po ashtu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me diplomacinë shqiptare në të ardhmen.
“E përgëzoj Ferit Hoxhën për emërimin si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Kosova dhe Shqipëria, si popuj të një kombi, ndajnë një lidhje të qëndrueshme, të rrënjosur në historinë, gjuhën dhe sakrificat tona të përbashkëta.
Pres me padurim të punoj ngushtë me ju dhe Diplomacinë Shqiptare për të forcuar më tej marrëdhënien tonë unike dhe për të çuar përpara aspiratat tona të përbashkëta evropiane” shkroi Konjufca.

