75 Mall Live Search
22:39 / E Shtunë, 07 Mars 2026 / F.R

Kryediplomati shqiptar falënderon Konjufcën: Kosova dhe Shqipëria kanë lidhje të pazëvendësueshme

Ministri i Jashtëm në detyrë Glauk Konjufca, ka uruar Ferit Hoxhën për emërimin e tij në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Konjufca theksoi lidhjen e veçantë mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një raport të ndërtuar mbi historinë, gjuhën dhe sakrificat e përbashkëta të një kombi.

“Kosova dhe Shqipëria si popull i një kombi ndajnë një lidhje të qëndrueshme, të rrënjosur në historinë, gjuhën dhe sakrificat tona të përbashkëta. Pres të punojmë ngushtë së bashku për të forcuar më tej marrëdhënien tonë të veçantë dhe për të avancuar aspiratat tona të përbashkëta evropiane”, ka shkruar Konjufca.

Ndërkohë, ministri i ri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, e falënderoi Konjufcën për urimin dhe mesazhin e ngrohtë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova ndajnë vëllazërinë e përkatësisë kombëtare, gjuhës, historisë dhe identitetit.

Ai shtoi se kjo lidhje përbën një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe për avancimin e aspiratave të përbashkëta evropiane dhe forcimin e stabilitetit e bashkëpunimit rajonal.