Nuk ka më “fat” për Sylvinhon, pas problemeve të Brojës edhe Daku shqetëson stafin kuqezi me dëmtimin e fundit
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, do të jetë i detyruar të bëjë zgjedhje të tjera për repartin e sulmit sa i përket ndeshjeve të play-off për pjesëmarrjen në Botëror në fund të këtij muaji.
Kur mbeten pak më shumë se dy javë nga fillimi i grumbullimit të kuqezinjve, situata e sulmuesve është alarmuese. Armando Broja është i dëmtuar dhe nuk është kthyer në stërvitje.
Por tashmë është e qartë se në të njëjtën situatë gjendet edhe Mirlind Daku, i cili ka pësuar një dëmtim në tendinë dhe rrezikon të mbetet për një kohë të gjatë jashtë, siç e ka shpjeguar vetë trajneri i ri i skuadrës ruse, Frank Artiga.
Ky i fundit, në prezantimin e tij para mediave, është pyetur se si do të veprojë për shkak të mungesës së Dakut dhe ai ka bërë të qartë se lojtari nuk do të aktivizohet pa qenë në 100%, pasi në rast përsëritje të dëmtimit, pasojat do të ishin katastrofike.
“Kur erdha këtu, po prisja me padurim mundësinë që të punoja me Dakun, por tani ai është i dëmtuar dhe kjo është një humbje e madhe. Po, skuadra është ndërtuar rreth Dakut dhe ai është e pamundur që të zëvendësohet”, shprehet Artiga.
“Është e pamundur që të zëvendësohet në çdo skuadër, është e vështirë që të gjejmë diku tjetër cilësitë e tij. Ne duam që të kalojmë më shumë kohë në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe e gjithë skuadra e kupton që të gjithë duhet të bëjnë më të mirën për të kompensuar mungesën e Mirlindit. Një dëmtim në tendinë është mjaft specifik”, shtoi ai.

