75 Mall Live Search
09:57 / E Hënë, 09 Mars 2026 / G T

Modriq flet për “sekretin” e kroatëve: Zoti na ka dhuruar diçka të veçantë!

Kapiteni i Kroacisë, Lluka Modriq, ka folur për karakterin dhe mentalitetin e popullit kroat gjatë një interviste, duke u përgjigjur në një pyetje interesante rreth numrit të madh të futbollistëve të suksesshëm që vijnë nga Kroacia dhe veçanërisht nga rajoni i Zadrit.

Gjatë bisedës, Modriq u pyet me humor nëse “uji” i këtij rajoni është arsyeja pse kaq shumë futbollistë të mëdhenj kanë lidhje me të, duke përmendur edhe faktin se gjyshi i Christian Pulisiqit është nga Zadri, ndërsa nëna e Zlatan Ibrahimoviqit gjithashtu ka origjinë nga kjo zonë, shkruan Indeksonline.

Mesfushori legjendar kroat pranoi se kjo është një pyetje që kroatët e dëgjojnë shpesh.

“Çdokush na pyet vazhdimisht se çfarë është kaq e veçantë te kroatët. Sinqerisht, është shumë e vështirë të shpjegohet. Zoti na ka dhuruar qartë diçka më të veçantë”, u shpreh Modriq.

Ai theksoi se mentaliteti i popullit kroat është një nga arsyet kryesore të suksesit.

“Ne jemi një popull shumë krenar. Na pëlqen të luftojmë, jemi gati të vuajmë dhe në një farë mënyre e shijojmë këtë. Ndoshta kjo është arsyeja pse është e vështirë ta shpjegosh”, tha ai.

Në fund, Modriq shtoi se kroatët mund të jenë krenarë për faktin që shumë njerëz të talentuar nga vendi i tyre kanë arritur sukses në mbarë botën.

“Por mund të jemi të lumtur sepse kemi kaq shumë njerëz të shkëlqyer në të gjithë botën”, përfundoi mesfushori kroat./Indeksonline/