Laporta për deklaratat e Xavit: Më lënduan, me të njëjtët lojtarë Flick po bën më mirë se ai…!
Ish-Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të ish-trajnerit të klubit, Xavi Hernandez, duke pranuar se intervista e tij e ka befasuar dhe e ka lënduar.
Në një prononcim për mediat, Laporta tha se e kupton që Xavi mund të jetë i zhgënjyer, por theksoi se situata në klub ka ndryshuar ndjeshëm që nga ardhja e trajnerit të ri, Hansi Flick, shkruan Indeksonline
“Intervista e Xavit më habiti dhe më lëndoi. E kuptoj që ai është i lënduar,” tha Laporta.
Ai shtoi se me të njëjtin grup lojtarësh skuadra po duket ndryshe nën drejtimin e trajnerit gjerman.
“Me të njëjtët lojtarë, Flick fiton… ndërsa Xavi nuk fitoi. Me Xavin e pashë që do të humbnim dhe me Flick shoh që do të fitojmë,” deklaroi ish-presidenti i Barcelonës.
Deklaratat e Laportës vijnë pas intervistës së fundit të Xavit, në të cilën ish-trajneri i Barcelonës foli për presionin e madh dhe vështirësitë që kishte përjetuar gjatë drejtimit të skuadrës katalanase.
Në atë intervistë, Xavi kishte theksuar se të jesh trajner i Barcelonës është një nga punët më të vështira në futboll dhe se projekti i klubit shpesh është ndikuar nga faktorë të ndryshëm jashtë fushës.
“Është shumë e vështirë të punosh te Barcelona. Presioni është ekstrem dhe shpesh nuk vlerësohet puna që bëhet”, ishte një nga deklaratat e tij që shkaktoi reagime në Spanjë./Indeksonline/

