75 Mall Live Search
18:57 / E Martë, 10 Mars 2026 / MSH1

Doughty uron Konjufcën për detyrën, riafirmon mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikën e Veriut të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës Veriore, Stephen Doughty.

Gjatë bisedës njoftuese, Doughty e uroi zëvendëskryeministrin Konjufca për detyrën e re dhe riafirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës dhe për aspiratat e saj ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Konjufca e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në proceset e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe për rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike dhe stabilitetit në vend.

Gjatë bisedës u diskutua gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe për vazhdimin e koordinimit të ngushtë në çështje me interes të përbashkët në nivel bilateral dhe ndërkombëtar.

Partneriteti ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar mbetet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit demokratik, sigurisë dhe avancimit ndërkombëtar të vendit tonë.