“Blindohet” Parlamenti i Shqipërisë, pritet një seancë e tensionuar
Sot në Shqipëri mbahet seanca, e cila ka në rend dite votimin e kërkesës së SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Njëkohësisht me seancën, jashtë godinës pritet të nisë protesta që ka thirrur Partia Demokratike. Ndryshe nga protestat e shkuara të zhvilluara gjatë mbrëmjeve, sot PD-ja ka ndryshuar skenarin dhe pritet që tubimi të zhvillohet vetëm jashtë godinës së kuvendit.
Që prej mbrëmjes së të mërkurës parlamenti është blinduar dhe ka shtuar masat e sigurisë, për të shmangur përshkallëzimin e protestës.
Parlamenti është rrethuar me gardh metalik si masë paraprake për tubimin e Partisë Demokratike.
Top Channel mëson se ligjvënësit socialistë do të përpiqen të hyjnë të parët në seancë, për të shmangur kontaktin me protestuesit e opozitës, të cilët janë thirrur të rrethojnë parlamentin, transmeton KosovaPressi.
Brenda sallës, mazhoranca dhe opozita pritet të përplasen ashpër mbi kërkesën e SPAK-ut, e cila insiston në heqjen e lirisë së Belinda Ballukut.
Partia Socialiste ka deklaruar votën kundër dhënies se autorizimit, ndërsa PD-ja, në mungesë të kartonëve, ka në plan të tregojë forcën si brenda dhe jashtë kuvendit ku ka thirrur në ndihmë mbështetësit e saj.

