75 Mall Live Search
15:03 / E Enjte, 12 Mars 2026 / A

Reagon LDK-ja: AGK nuk është subjekt politik dhe nuk i takon të bëjë vlerësime të tilla

Partia e Lumir Abdixhikut, Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar polemikat me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

“Është e papritur që një organizatë profesionale si AGK të përdorë gjuhë dhe referenca që i përkasin debatit politik, përfshirë edhe përqindjet elektorale. AGK nuk është subjekt politik dhe nuk i takon të bëjë vlerësime të tilla”, thuhet në reagim.

E plotë:

Liria e medias është e shenjtë.

Por edhe liria për ta kritikuar median është po aq e shenjtë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili në vend që të trajtojë me seriozitet shqetësimin e ngritur për standardin profesional dhe përgjegjësinë publike në media, zgjedh të përdorë etiketime politike dhe të delegjitimojë një qëndrim të shprehur publikisht.

Në një shoqëri demokratike, kritika dhe debati publik janë pjesë e pandashme e lirisë së shprehjes. Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk përjashtojnë njëra-tjetrën; përkundrazi, ato bashkëjetojnë dhe forcojnë njëra-tjetrën.

Është e papritur që një organizatë profesionale si AGK të përdorë gjuhë dhe referenca që i përkasin debatit politik, përfshirë edhe përqindjet elektorale. AGK nuk është subjekt politik dhe nuk i takon të bëjë vlerësime të tilla.

Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se kritika jonë nuk ka qenë ndaj medias si institucion dhe as ndaj gazetarëve profesionistë që kryejnë punën e tyre me integritet çdo ditë. Reagimi ynë ishte, është dhe do të mbetet ndaj fenomeneve të dëmshme brenda medias që devijojnë nga standardet profesionale dhe dëmtojnë besimin publik duke nxitur shpifjen.

LDK mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e lirisë së medias dhe të lirisë së shprehjes, njëkohësisht duke kundërshtuar shpifjet dhe dezinformatat. Presim që edhe organizatat profesionale të veprojnë me të njëjtin standard përgjegjësie dhe paanshmërie në debatin publik.