‘Sekreti’ aziatik për flokë të fortë dhe me shkëlqim/ Ja pse duhet të vendosni vaj në flokë para larjes
Në shumë vende të Azisë, kujdesi për flokët nuk është vetëm rutinë bukurie, por një traditë e trashëguar ndër breza. Në Indi, Kinë, Japoni dhe Kore, aplikimi i vajit në flokë para larjes është një praktikë e vjetër që përdoret për të ushqyer flokët, për të nxitur rritjen e tyre dhe për t’i mbrojtur nga dëmtimet.
Në këto kultura, flokët e gjatë dhe të shëndetshëm konsiderohen simbol i bukurisë dhe krenarisë. Për këtë arsye, gratë i kushtojnë shumë rëndësi mbrojtjes së tyre nga faktorët që mund t’i dëmtojnë, si nxehtësia, uji i fortë apo mjetet për stilim.
Një nga praktikat më të përhapura në traditën ajurvedike është masazhi i lëkurës së kokës me vaj para larjes së flokëve. Ky trajtim bëhet zakonisht një herë në javë dhe synon të ushqejë skalpin dhe të përmirësojë cilësinë e flokëve.
Në Indi, ky ritual shpesh kryhet në familje. Gratë më të moshuara kujdesen për flokët e vajzave dhe mbesave të tyre, duke aplikuar vaj dhe duke masazhuar lëkurën e kokës. Përveç përfitimeve për flokët, kjo është edhe një mënyrë për të kaluar kohë së bashku dhe për të forcuar lidhjet familjare.
Flokët, ashtu si lëkura e trupit dhe e fytyrës, kanë nevojë për hidratim dhe ushqim. Përdorimi i vajit ndihmon në përmirësimin e strukturës së tyre, duke i bërë më të butë, më të shndritshëm dhe më të lehtë për t’u stiluar. Masazhi i skalpit stimulon gjithashtu qarkullimin e gjakut dhe aktivizon folikulat e flokëve.
Në treg ekzistojnë shumë lloje vajrash, por zgjedhja duhet të bëhet sipas tipit të flokëve.
Vaji i ricinit është ndër më të përdorurit për kujdesin e flokëve. Ai njihet për vetitë e tij anti-inflamatore dhe për aftësinë për të ndihmuar në rritjen dhe forcimin e flokëve.
Një tjetër vaj shumë i popullarizuar është vaji i amlas, i pasur me vitaminë C. Përveç stimulimit të rritjes së flokëve, ai ndihmon edhe në qetësimin e skalpit të thatë dhe që kruhet.
Gjithashtu përdoren edhe vajra ajurvedike të përgatitura nga kombinimi i vajit të susamit ose të kokosit me ekstrakte bimore, të cilat ushqejnë flokët dhe mbrojnë skalpin.
Si ta aplikoni vajin në flokë
Ngrohni disa pika vaj në pëllëmbë dhe aplikojeni në lëkurën e kokës kur flokët janë plotësisht të thatë.
Masazhoni butësisht skalpin për disa minuta dhe shpërndani vajin e mbetur në majat e flokëve.
Për efekt më të mirë, lëreni vajin gjatë natës.
Në mëngjes, lani flokët me shampon dhe balsamin tuaj të zakonshëm dhe stilojini si zakonisht.
Përsëriteni këtë trajtim një herë në javë për flokë më të fortë dhe më të shëndetshëm.
Nëse dëshironi, mund të përdorni edhe një furçë për masazh të skalpit, por pa ushtruar presion të madh për të shmangur irritimin e lëkurës.

