Krasniqi: “Deri tani kemi ndaluar mbi 3800 produkte të lodrave të fëmijeve dhe sekuestruar mbi 400 tasa në tregun e brendshëm”
Mbrojtja e konsumatorëve, informimi i qytetarëve dhe kontrolli i produkteve në treg janë elemente kyçe për garantimin e sigurisë së produkteve. Këto u thanë në tryezën e diskutimit me temën “Produkte të sigurta, konsumator konfidentë” e organizuar nga Departamenti për mbrojtjen e konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI).
E para e këtij dikasteri, Mimoza Kusari-Lila,tha se që nga fillimi i mandatit të saj është rritur komunikimi me konsumatorët përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, me synimin për të lehtësuar mekanizmat e raportimit dhe për të ngritur standardet për bizneset.
Video: “Rastisi që në këtë muaj të ballafaqohemi edhe me sfidën e furnizimit me derivate, një sfidë e cila vjen si rrjedhojë e ngjarjeve gjeopolitike, jo afër nesh, por definitivisht me ndikim tek të madh tek ne, për faktin se të gjitha derivatet që blihen në tregun tonë janë të importuara, andaj edhe masa e parë që u mor në fillim të këtij muaji, me 4 mars, kishte të bënte në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në raport me lëvizjet që mund të bëhen të pakontrolluara për çmimin e naftës”, tha ajo.
Ndërkohë, Elma Krasniqi nga Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se kontrollet në treg po vazhdojnë me intensitet të shtuar për mbrojtjen e qytetarëve. Sipas saj, nga rreth 3200 ankesa të paraqitura nga konsumatorët, mbi 95 për qind janë trajtuar në përputhje me afatet ligjore.
“Në këto momente kur ne po flasim, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është duke përmbyllur një aksion të gjerë me Doganën e Kosovës, me ç’rast kemi ndaluar mbi 38,000 produkte të lodrave të fëmijëve dhe mbi 400 tasa i kemi sekuestruar në tregun e brendshëm. Vlera e të cilave do të thotë kalon mbi 100,000 euro. Po ashtu, në të njëjtën kohë do të thotë jemi duke zhvilluar një aksion me zyrtarët nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, me qëllim do të thotë mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit të ministres në këtë rast sa i përket respektimit për marzhën tregtare të caktuar për produktet e derivateve të naftës. Përmes aktiviteteve të rregullta, inspektuese, kontrolleve. Drejtori edhe i përmendi që Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit vetëm gjatë vitit që sapo lamë pas ka pranuar mbi 3200 ankesa të konsumatorëve, ku 1493 prej tyre janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Të gjitha të adresuara dhe shqyrtuara në përputhje me të gjitha afatet ligjore”, tha ajo.

