75 Mall Live Search
15:03 / E Premte, 13 Mars 2026 / Z S

Largohet një deponi ilegale në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë

Drejtoria për Shërbime Publike ka ndërmarrë një aksion për largimin e mbeturinave në kryeqytet, duke intervenuar së fundmi në rrugën “Muharrem Fejza”, ku prej kohësh ishte krijuar një deponi ilegale që po shqetësonte banorët e zonës.

Sipas njoftimit të kësaj drejtorie, ekipet në terren kanë bërë pastrimin dhe largimin e mbeturinave të grumbulluara, duke rikthyer pastërtinë në këtë hapësirë publike.

Drejtoria për Shërbime Publike, në krye me drejtorin Luftar Braha, ka bërë të ditur se përveç aksioneve të pastrimit do të shtohen edhe inspektimet në terren. Ata kanë paralajmëruar masa dhe gjoba të rrepta për të gjithë personat që hedhin mbeturina në mënyrë të paligjshme dhe ndotin ambientin.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe të raportojnë rastet e krijimit të deponive ilegale, në mënyrë që të parandalohet ndotja e mjedisit dhe të ruhet hapësira publike./Indeksonline/