75 Mall Live Search
16:17 / E Premte, 13 Mars 2026 / MSH1

Fajde dhe kërcënime në Prizren/ Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit që morën mbi 400 mijë euro kamata

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurve E.K., dhe A.K., për shkak të dyshimi të bazuar se kanë kryer veprat penale, “Fajdeja” dhe “Detyrimi”

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm jo proporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga i viktima B.Ç., i njëjti merr mbi 400,000 (katërqind mijë) euro.

 Në pamundësi për të përballuar dhe kthyer borxhin, hynë edhe viktima e dytë B.B., që merr para nga të pandehurit për t’i ndihmuar viktimës së parë në shlyerjen e borxhit. Të pandehurit E.K., dhe A.K., nga viktimat, për shkak të grumbullimit të kamatave, kërkojnë shumën prej 550,000 (pesëqind e pesëdhjetë mijë) euro. Për të siguruar këtë shumë, të pandehurit kërkojnë nga viktima B.Ç., që në emër të kamatave t’u kalojnë në pronësi lokale 2 (dy) lokale afariste dhe 1 (një) shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 (një) milion euro.

 Të pandehurit E.K., dhe A.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përdorin forcë duke i rrahur dhe kanosur viktimat, me ç’rast e detyrojnë viktimën B.Ç., që më datë 11.03.2026 së bashku me nënën e tij të shkojnë fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës, mirëpo në aplikim të masave të veçanta hetimore, ndërhyn policia dhe i arreston të pandehurit. 

Se a do të argumentohen këto fakte, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohet, dhe dyshimi i bazuar rrjedhë nga shkresat e lëndës, faktet dhe provat e mbledhura deri në këtë fazë.

Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, gjykata vlerëson se ekziston rreziku që me lënien në liri do të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm.

Meqenëse procedura hetimore është në fazën fillestare, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm sepse ekziston rreziku real që të pandehurit me lënien në liri mund të ndërmarrin veprime për të ndikuar tek të dëmtuarit dhe dëshmitarët me qëllim të pengimit të procedurës hetimore, me përdorim të presioneve, kanosjes dhe madje dhunës fizike ndaj të dëmtuarve (që dyshohet se janë përdorur në të kaluarën), gjykata vlerëson se ekziston rreziku i që të pandehurit mund të dëmtojnë dhe pengojnë rrjedhën e procedurës hetimore,

Duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat ne të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, tregon rrezik potencial se të pandehurit mund të përsëris veprat penale apo të kryejë vepër më të rëndë penale, që mund të cenojnë sigurinë e të dëmtuarve, andaj caktimi i paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë fazë.

Nga të lartcekurat,  Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore, sigurimin e prezencën së të pandehurve në procedurë hetimore, dhe parandalimin që të  pandehurit të arratisen apo të ndikojë në dëshmitaret dhe provat e rastit.