75 Mall Live Search
12:01 / E Diele, 15 Mars 2026 / B XH

Vendimi për mbylljen e TikTok, Rama sulmon Kushtetuesen: E panevojshme, solli efekte

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të qeverisë për bllokimin e TikTok.

Në podcastin “Flasim”, Rama e cilësoi vendimin e gjykatës të panevojshëm, duke argumentuar se masa e ndërmarrë nga qeveria kishte prodhuar tashmë efektet e saj dhe kishte detyruar kompaninë të ndërmarrë disa masa për audiencën shqiptare.

“Falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate. Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet”, u shpreh Rama.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se qeveria nuk kishte provuar se bllokimi i platformës ishte mjeti i vetëm efektiv për të adresuar problemin. Rama deklaroi se vendimet e gjykatave duhet të zbatohen, por sipas tij ato nuk janë të paprekshme nga kritika publike.

“Vendimet e gjykatave natyrisht janë për t’u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë”, theksoi kryeministri.

Rama shtoi se Kushtetuta e Shqipërisë parashikon mbrojtje të veçantë për fëmijët dhe se shteti ka detyrimin të ndërhyjë kur platformat digjitale mund të krijojnë rreziqe për shëndetin dhe zhvillimin e tyre.

“Kushtetuta e Shqipërisë parashikon mbrojtje të veçantë për fëmijët dhe shteti ka detyrimin të ndërhyjë kur platformat digjitale mund të krijojnë rreziqe për shëndetin dhe zhvillimin e tyre”, tha Rama.

Debati për TikTok-un u mbyll në Gjykatën Kushtetuese, por jo në politikë. Qeveria e konsideron bllokimin një mjet që prodhoi rezultate, ndërsa gjykata vendosi se ai nuk ishte i justifikuar në raport me standardet kushtetuese. Në praktikë, platforma vazhdon të funksionojë, ndërsa polemika për mënyrën se si duhet të rregullohen rrjetet sociale mbetet e hapur.