Britania në kaos nga meningjiti, por si qëndron situata në Kosovë? Flet drejtoresha e Infektivës
Pas një shpërthimi të meningjitit në Britani, ku disa të rinj, përfshirë edhe një student nga Universiteti i Kentit, humbën jetën dhe disa të tjerë u shtruan nç spital në zonën e Canterbury, autoritetet britanike po kontaktojnë mbi 30 mijë studentë, staf dhe familjarë për t’i informuar mbi mënyrat e parandalimit dhe trajtimit.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen edhe te situata në Kosovë, sa u përket rasteve me meningjit.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dr. Vera Berisha- Ndrejaj ka dhënë detaje lidhur me gjendjen aktuale.
“Gjatë vitit 2026, deri në muajin mars, janë raportuar 10 raste të meningjitit: 5 raste (50%) meningjit viral, 4 raste (40%) meningjit bakterial, 1 rast (10%) rast i dyshuar për meningjit”, ka deklaruar Berisha- Ndrejaj për IndeksOnlinen.
E para e Infektivës në vend, ka dhënë detaje sa i përket edhe gjendjes në vitin e kaluar, 2025.
“Gjatë periudhës njëvjeçare (12 muajt e fundit) në Klinikën Infektive të QKUK-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 57 raste të infeksioneve të sistemit nervor qendror (SNQ), ku pjesën më të madhe e përbëjnë rastet e meningjitit. Nga këto raste, 25 (43.9%) kanë qenë meningjit viral (seroz), ndërsa 11 raste (19.3%) meningjit bakterial (purulent). Pjesa tjetër, 21 raste (36.8%), i përkisnin formave të tjera të infeksioneve të SNQ, si meningoencefaliti dhe encefaliti”, theksoi ajo.
Sipas saj, të dhënat tregojnë se meningjiti viral mbetet forma më e zakonshme, ndërsa meningjiti bakterial kërkon diagnostikim dhe trajtim të menjëhershëm.
Tutje, Berisha- Ndrejaj tregon se cilat janë grupmoshat më të prekura nga meningjiti.
“Bazuar në të dhënat e analizuara për këtë periudhë, grupmoshat më të prekura nga meningjiti janë moshat pediatrike dhe të rinjtë, veçanërisht fëmijët dhe adoleshentët. Koncentrimi më i madh i rasteve në këto grupmosha mund të shpjegohet nga disa faktorë: Sistemi imunitar më i papjekur tek fëmijët, i cili i bën ata më të ndjeshëm ndaj, infeksioneve virale dhe bakteriale. Ekspozimi i lartë në ambiente kolektive, si çerdhe, shkolla dhe institucione edukative, ku infeksionet përhapen më lehtë përmes kontaktit të afërt. Qarkullimi më i shpeshtë i viruseve, veçanërisht enteroviruseve dhe viruseve të tjera respiratore, që janë shkaktarë të zakonshëm të meningjitit viral te fëmijët. Zhvillimi ende i paplotë i imunitetit specifik ndaj disa patogjenëve që mund të shkaktojnë meningjit”, tha Berisha- Ndrejaj.
Doktoresha ka folur edhe sa i përket trajtimit shëndetësor të meningjitit.
“Në meningjitin bakterial, trajtimi fillon menjëherë pasi kjo formë konsiderohet urgjencë mjekësore. Terapia zakonisht përfshin antibiotikë intravenozë me spektër të gjerë, më së shpeshti cefalosporina të gjeneratës së tretë (si ceftriaxone p.sh), të cilat mund të kombinohen me antibiotikë të tjerë sipas patogjenit të dyshuar ose të konfirmuar. Në disa raste përdoren edhe kortikosteroide, si dexamethasone, për të reduktuar inflamacionin dhe për të ulur rrezikun e komplikimeve neurologjike. Krahas kësaj aplikohet edhe terapi mbështetëse, që përfshin hidratim intravenoz, kontroll të temperaturës, analgjezikë dhe monitorim të funksioneve vitale. Kohëzgjatja e trajtimit zakonisht varion nga 10 deri në 14 ditë, por mund të zgjasë më gjatë në varësi të patogjenit dhe ecurisë klinike.”, vlerësoi ajo.
“Në meningjitin viral, trajtimi në shumicën e rasteve është simptomatik dhe mbështetës. Ai përfshin hidratim, pushim, antipiretikë dhe analgjezikë, si dhe monitorim të gjendjes klinike të pacientit. Në rastet kur dyshohet ose konfirmohet etiologjia nga virusi Herpes, përdoret terapi antivirale me acyclovir intravenoz. Kohëzgjatja e trajtimit zakonisht është rreth 7–10 ditë, ndërsa hospitalizimi mund të jetë më I shkurtër në rastet me ecuri të lehtë. Edhe këta pacientë monitorohen gjatë qëndrimit në spital dhe sipas nevojës kontrollohen pas trajtimit për të siguruar shërim të plotë. Në praktikë, trajtimi dhe kohëzgjatja e tij nuk janë gjithmonë të përcaktuara në mënyrë strikte. Edhe pse ndiqen protokollet standarde klinike, menaxhimi përshtatet sipas gjendjes së pacientit, rezultateve diagnostike dhe ecurisë së sëmundjes, duke ndjekur parimet e mjekësisë së personalizuar.”, shtoi Berisha- Ndrejaj.
Ndërkaq, drejtoresha e Infektivës, përmend faktin se pacientët ndiqen vazhdimisht gjatë hospitalizimit dhe, nëse është e nevojshme, edhe pas daljes nga spitali për të vlerësuar rikuperimin dhe për të identifikuar komplikime të mundshme./IndeksOnline/

