75 Mall Live Search
16:22 / E Martë, 17 Mars 2026 / MSH1

Ambasadori bullgar e fton Konjufcën në Procesin SEECP

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Në takim, Kraevski e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe u diskutua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë.

MPJD-ja bën të ditur se në takim u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme.

“Ambasadori Kraevski e ftoi zyrtarisht Zëvendëskryeministrin Konjufca për të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili do të mbahet në Sofje në Qershor 2026” thuhet në njoftim.

MPJD-ja deklaron se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Republikën e Bullgarisë.