75 Mall Live Search
12:39 / E Mërkurë, 18 Mars 2026 / Gj Sh

I vihet gur themeli Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë

Në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”, sot në Pejë është vendosur gur themeli i kompleksit sportiv “Qendra nacionale e xhudos”, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të sportit në vend.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë krerë institucionalë dhe figura të njohura të sportit. Fjalë rasti mbajtën kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, si dhe kryemjeshtri i xhudos, Driton Kuka, shkruan IndeksOnline.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përfaqësues institucionalë, si edhe kampionët e xhudos së Kosovës. Në ceremoni morën pjesë edhe sportistë mysafirë nga Ukraina, të cilët aktualisht po zhvillojnë një kamp përgatitor në Kosovë.

Kompleksi “Qendra nacionale e xhudos” pritet të shërbejë si një qendër moderne për përgatitjen profesionale të sportistëve, zhvillimin e talenteve të rinj dhe avancimin e mëtejshëm të xhudos kosovare në arenën ndërkombëtare.

Ky projekt konsiderohet një hap i madh përpara për sportin në vend dhe një dëshmi e përkushtimit institucional për të mbështetur sukseset e vazhdueshme të xhudos kosovare.

Programi “Kosova, shtet i xhudos” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa njoftimi për këtë ngjarje është bërë nga Federata e Xhudos e Kosovës./IndeksOnline/