Pas Llapit, për referim ankohet edhe Prishtina e Re
KF Prishtina e Re ka dalë sot me një komunikatë zyrtare pas ndeshjes kundër KF Dukagjinit, duke shprehur shqetësim të thellë për vendimet e arbitrit që sipas klubit kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e lojës.
Në komunikatën e saj, klubi thekson se gjatë ndeshjes në Klinë janë regjistruar disa raste flagrante të mosndëshkimit të ndërhyrjeve të rënda dhe mohim të rasteve të pastra shënimi, duke përmendur, shkruan Indeksonline
- Minuta 6: lojtari me numrin 2 i Dukagjinit nuk ndëshkohet për ndërhyrje ndaj Lorik Dobratiqit.
- Minuta 11: nuk akordohet karton i kuq për të njëjtin lojtar për mohim të një rasti të pastër shënimi.
- Minuta 78: nuk akordohet penallti për ndërhyrjen ndaj Rion Rushitit.
- Rasti i Florijan Kadriut, ku ndërhyrja nga kapiteni i Dukagjinit mbetet pa ndëshkim.
Klubi shpreh shqetësim për mungesë neutraliteti dhe vendime arbitrare që sipas tij krijojnë precedent të rrezikshëm për garën sportive dhe dëmtojnë integritetin e ndeshjeve.
“Gjersa ndeshja ishte e mbushur me ndërprerje të panevojshme, kartona të pajustifikuar dhe vendime kontraverse, sot në Klinë kishte gjithçka përveç futbollit në të cilin triumfohet me djersë”, thuhet në komunikatë.
KF Prishtina e Re kërkon reagim institucional dhe përgjegjësi nga organet kompetente të futbollit, për të garantuar drejtësi dhe barazi në garat e ardhshme./Indeksonline/

