“Trepça” Sh.A ndërpret punimet e një operatori ekonomik, rrezikoi objektet e minierës
“Trepça” Sh.A ka ndërprerë punimet e një operatori ekonomik, pasi që rrezikoi objektet kritike të e minierës.
Në njoftim bëhet e ditur se “Trepça” ka ndërprerë menjëherë punimet e operatorit ekonomik “Hydro-Line SH.P.K”, i cili pa autorizim ka hapur rrugë përgjatë perimetrit të sigurisë së njësisë biznesore miniera me flotacion “Trepça” – Stan Tërg.
Punimet janë zhvilluar në parcelën kadastrale P-71208112-00109-0, në pronësi të “Trepçës” Sh.A., duke cenuar zonën e sigurisë dhe duke ekspozuar objektet kritike të minierës.
“Këto ndërhyrje janë kryer gjatë vikendit, në kohën kur administrata ka qenë në pushim, duke shmangur kontrollin institucional. Nga ky veprim është krijuar një rrugë alternative që çon pranë depove të eksplozivëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun për sigurinë”, thuhet në njoftim.
Menjëherë pas pranimit të informatës, “Trepça” Sh.A. ka njoftuar Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente. Njëkohësisht, do të njoftohet edhe inspektorati i KPMM-së për shkak të ndërhyrjes në licencën e shfrytëzimit 2311/KPMM/2024, e cila përfshin edhe sigurinë e depos së eksplozivit.
“Trepça” Sh.A. u bën thirrje organeve kompetente që të marrin masa të menjëhershme për ndalimin e këtyre veprimeve dhe garantimin e sigurisë së objekteve strategjike.
“‘Trepça’ mbetet e vendosur në mbrojtjen e aseteve të saj dhe nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje që rrezikon jetën e punëtorëve dhe funksionimin normal të minierës”, thuhet në njoftim.

