Komuna e Fushë-Kosovës reagon pas deklaratave të trajnerit të KF Llapi: Gjuha e papranueshme ndaj zyrtarëve nuk do të tolerohet!
Komuna e Fushë-Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me komunikimin e papranueshëm të kryetrajnerit të KF Llapi, Tahir Batatina, ndaj gjyqtarit dhe zyrtarit të Komunës, Fatlum Berisha.
Në një njoftim për media, Komuna thekson se e drejta për të kritikuar vendimet në fushën e lojës është legjitime, por gjuha e përdorur në këtë rast tejkalon standardet profesionale dhe njerëzore. Referimet që lidhen me çështje personale janë të papranueshme dhe cenojnë drejtpërdrejt dinjitetin e individit.
Komuna e Fushë-Kosovës i shpreh mbështetjen e plotë zyrtarit Fatlum Berisha. “Çdo formë presioni, ofendimi apo tentativë për intimidim përmes gjuhës së papërshtatshme është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”, theksohet në njoftim.
Njëkohësisht, Komuna dënon çdo sjellje që cenon integritetin e gjyqtarëve dhe kërkon që të gjitha palët të kontribuojnë në ruajtjen e etikës, respektit dhe frymës sportive, jo vetëm në futboll, por edhe në jetën publike në përgjithësi.
Ky reagim vjen pas polemikave të fundit dhe thekson nevojën për respekt dhe standarde të larta profesionale në sport dhe komunikimin publik./Indeksonline/

