75 Mall Live Search
20:48 / E Hënë, 15 Qershor 2026 / Gj Sh

Një histori sakrifice, dhimbjeje dhe triumfi, Jeniss Rexhepi synon majat në kickboks


I lindur e i rritur në Zvicër, por dashurinë për vendlindjen e ka të madhe, i riu Jeniss Rexhepi po syonon majat në karrieren e tij profesionale si kickbokser.

24-vjeçari tashmë po ngtitet drejt kulmit të suksesit, ku me punë dhe disiplinë është duke arritur tek majat ndërkombëtare, shkruan IndeksOnline.

Rexhepi kishte dashuri për sportin që nga fëmijëria, ëndrrën e tij e nisi si futbollist, por gjërat ndryshuan gjatë rrugës.

Ai për IndeksOnline ka rrëfyer hapat e parë të karrierës, që nga fëmijëria e deri te karriera si kickbokser.

“Sporti ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Që në moshën pesëvjeçare fillova të luaj futboll dhe ëndrra ime më e madhe si fëmijë ishte të bëhesha futbollist profesionist. Kam pasur mundësinë të fitoj shumë përvoja të vlefshme, duke luajtur për FC Zürich deri në ekipin U18, madje në moshë të re kam pasur edhe një kontratë me Adidas. Fatkeqësisht, hapi i fundit drejt ekipit të parë profesionist nuk u realizua.

Pas këtij zhgënjimi dhe humbjes së ëndrrës sime më të madhe në futboll, kalova një periudhë të vështirë. Rashë në një lloj depresioni sportiv, humba rutinën time, shtova peshë dhe për gati dy vite bëra shumë pak aktivitet fizik.

Megjithatë, pasioni për sportet luftarake kishte qenë gjithmonë brenda meje. Që kur isha i vogël, shikoja ndeshje boksi në televizor së bashku me babain tim. Edhe nëna ime kishte qenë e angazhuar me karate në rininë e saj, prandaj shpesh them se kjo dashuri për sportet luftarake ndoshta më është trashëguar.

Pas asaj periudhe të vështirë, e gjeta përsëri veten dhe kuptova se nuk mund të vazhdoja më në atë mënyrë. Kisha nevojë ta riktheja sportin në jetën time. Kështu fillova të merrem me sportet luftarake dhe shumë shpejt kuptova se aty kisha gjetur një sfidë të re dhe një qëllim të ri.

Momenti vendimtar erdhi pas ndeshjes sime të parë. Pas vetëm dy muajsh përvojë në sportet luftarake, arrita ta fitoj luftën time të parë me nokaut. Në atë moment e kuptova se ëndrra ime për t’u bërë sportist profesionist nuk kishte përfunduar. Vendosa ta ndjek sërish atë rrugë, por këtë herë në një sport tjetër në kikboks.”, ka thënë Jeniss Rexhepi për IndeksOnline.

Rexhepi gjatë rrëfimit të tij tregon se e kishte të vështirë të gjente ekulibrin mes shkollimit dhe sportit, Por me mbështetjen e familjes dhe bashkatdhetarëve ia ka dal me sukses

“Një nga sfidat më të mëdha në rrugëtimin tim ka qenë padyshim presioni i kohës dhe gjetja e ekuilibrit të duhur mes sportit, shkollimit dhe zhvillimit tim profesional. Ndërkohë që stërvitesha intensivisht dhe ndiqja qëllimet e mia sportive, në të njëjtën kohë duhej të përfundoja me sukses zanatin tim dhe të zhvillohesha edhe në aspektin e biznesit.

Përveç kësaj, në një moshë shumë të re mora vendimin të hyj në botën e sipërmarrjes dhe themelova kompaninë time në sektorin financiar. Kombinimi i sportit profesional, karrierës dhe biznesit kërkoi shumë disiplinë, organizim dhe sakrifica.

Sidomos si një i ri, nuk ishte gjithmonë e lehtë të hiqja dorë nga shumë gjëra që për të tjerët në moshën time ishin normale. Koha e lirë, daljet apo momentet e pushimit shpesh duhej të kalonin në plan të dytë. Por pikërisht këto sfida më kanë forcuar mentalisht dhe më kanë mësuar se suksesi gjithmonë kërkon disiplinë, sakrificë dhe këmbëngulje.

Si sportist shqiptar në Zvicër kam pasur fatin e madh që që nga fillimi të kem një mbështetje të jashtëzakonshme nga bashkatdhetarët e mi. Për këtë jam shumë mirënjohës, sepse shumë njerëz nga komuniteti shqiptar kanë besuar tek unë, më kanë përkrahur dhe më kanë hapur mundësi të rëndësishme gjatë rrugëtimit tim.

Sigurisht, ndërtimi i një karriere sportive nuk është i lehtë, pavarësisht prejardhjes. Kërkon shumë punë, disiplinë, sakrificë dhe këmbëngulje. Në të njëjtën kohë, prejardhjen time shqiptare e shoh si një motivim dhe forcë shtesë për të vazhduar përpara.

Në Zvicër ekziston një komunitet shumë i madh shqiptar dhe kjo ndihet veçanërisht në eventet e sporteve luftarake. Përkrahja, energjia dhe bashkimi i shqiptarëve më japin çdo herë motivim shtesë për të dhënë maksimumin tim dhe për t’i përfaqësuar ata me krenari.”, ka thënë Rexhepi për IndeksOnline.

Jenissi synon që këtë vit të fitoj titullin e Kampionit të Evropës, e pastaj të mendoj edhe për titullin e Kampionit të Botës.

“Qëllimi im i madh për këtë vit është të fitoj titullin e Kampionit të Evropës dhe përmes këtij suksesi të krijoj mundësinë për hapin e ardhshëm drejt titullit të Kampionit të Botës. Sigurisht, çdo sportist ka ëndrra të mëdha dhe dëshiron të arrijë majat, por për mua është shumë e rëndësishme të ec hap pas hapi dhe të fokusohem tek sfida që kam përpara.

Për momentin, e gjithë vëmendja dhe energjia ime është e përqendruar te titulli i Kampionit të Evropës. Dua të punoj fort çdo ditë, të zhvillohem si sportist dhe të jap maksimumin për ta arritur këtë objektiv. Pasi ta realizoj këtë hap, do të jem gati të pranoj sfidën e radhës dhe të vazhdoj rrugëtimin tim drejt titullit të Kampionit të Botës.”, tregon Jeniss Rexhepi për IndeksOnline.

24-vjeçari është krenar që ka preardhje shqipare  dhe të përfaqësoj ao në arenën ndërkombëtare.

“Për mua ka një rëndësi shumë të madhe ta përfaqësoj prejardhjen time shqiptare në arenën ndërkombëtare. Është prejardhja e prindërve të mi, e familjes sime dhe një pjesë shumë e rëndësishme e identitetit tim. Këtë kulturë dhe këto vlera i mbaj gjithmonë me shumë krenari.

Mentaliteti shqiptar me të cilin jam rritur më ka formuar shumë si person. Vlera si disiplina, respekti, bashkimi, shpirti luftarak dhe dëshira për të mos u dorëzuar kurrë kanë pasur një ndikim të madh në karakterin tim dhe më kanë ndihmuar të eci përpara si në sport, ashtu edhe në jetë.

Për mua nuk bëhet fjalë vetëm për të pasur sukses si sportist individual, por edhe për t’i bërë krenarë njerëzit që më mbështesin dhe për t’i përfaqësuar rrënjët e mia me nder dhe krenari.”, ka rrëfyer Rexhepi për IndeksOnline.

Rexhepi kohë më parë u përballë edhe me një fatkeqësi, vdekjen e motrës së tij. Pavarësisht kësaj ai nuk u dorëzua, dy muaj më pas kishte një nga sfidat më të rëndësishme në karrierë, luftën për titullin e Kampionit Ndërkombëtar të Zvicrës.

Jenissi mes dhimbjes për humbjen e motrës, udhëtoi drejt Tajlandës, u stërvit për gjashtë javë, një sfidë ku luftoi me vetën, por gjeti forcën për t’u ngritur përsëri dhe për të vazhduar përpara.

“Lufta më e rëndësishme në karrierën time deri më tani ka qenë padyshim lufta për titullin e Kampionit Ndërkombëtar të Zvicrës. Ajo luftë për mua nuk kishte vetëm një rëndësi sportive, por mbi të gjitha kishte një kuptim shumë të madh emocional.

Dy muaj para asaj ndeshjeje ndërroi jetë motra ime. Ishte pa dyshim periudha më e vështirë dhe më e dhimbshme e jetës sime. Në atë moment nuk po përballesha vetëm me një sfidë sportive, por edhe me luftën më të madhe mentale që kisha përjetuar ndonjëherë.

Pas asaj humbjeje të madhe vendosa të udhëtoj i vetëm në Tajlandë, për t’u përgatitur plotësisht për luftën dhe për të gjetur përsëri forcën brenda vetes. Atje u stërvita për gjashtë javë me dy deri në tre stërvitje në ditë. Çdo ditë ishte një sfidë fizike, por mbi të gjitha ishte një betejë me veten time, me mendimet dhe emocionet e mia.

Në fund, ajo luftë për mua ishte shumë më tepër sesa vetëm një titull. Ishte një dëshmi që pavarësisht momenteve më të errëta në jetë, njeriu mund të gjejë forcën për t’u ngritur përsëri dhe për të vazhduar përpara.”, ka rrëfyer Rexhepi për IndeksOnline.

Rexhepi thotë se objektivi i tij në pesë vitet e ardhshme është titulli i Kampionit të Evropës dhe Kampionit të Botës, derisa ëndrra e tij është të përballet me luftëtarët më të mirë në botë dhe të garoj në skenat më të mëdha të sporteve luftarake, në organizata si ONE Championship ose Glory. 

Ai po ashtu ka edhe një mesazh për të rinjtë shqiptarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në shtetet të ndryshme evropiane.

“Mesazhi im për të rinjtë është që me disiplinë, punë të palodhshme dhe besim në vetvete, shumë gjëra në jetë janë të mundura. Suksesi nuk vjen brenda një dite ai është rezultat i durimit, sakrificës dhe dëshirës për t’u përmirësuar çdo ditë.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë kurrë prej nga vijmë dhe njerëzit që na kanë mbështetur gjatë rrugëtimit tonë. Sidomos familja luan një rol shumë të rëndësishëm në jetë. Që në moshë të re duhet të mësojmë ta vlerësojmë familjen, ta mbështesim dhe të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që gjithmonë qëndrojnë pranë nesh.

Edhe momentet e vështira në jetë kanë vlerën e tyre. Ngritjet dhe rëniet janë pjesë e rrugëtimit e rëndësishme është të mësojmë nga çdo përvojë, të rikthehemi më të fortë dhe të mos dorëzohemi kurrë.

Nëse do Zoti, pas pesë vitesh e shoh veten në majat e këtij sporti. Qëllimi im është t’i arrij titujt për të cilët punoj çdo ditë titullin e Kampionit të Zvicrës, Kampionit të Evropës dhe në fund titullin e Kampionit të Botës.

E di që ky rrugëtim kërkon shumë disiplinë, durim dhe sakrifica, prandaj fokusi im është të përmirësohem çdo ditë dhe të eci përpara hap pas hapi.

Në plan afatgjatë, ëndrra ime është të përballem me luftëtarët më të mirë në botë dhe të garoj në skenat më të mëdha të sporteve luftarake, në organizata si ONE Championship ose Glory. Nuk dua vetëm të jem pjesë e tyre, por dua të tregoj se i përkas atij niveli dhe të lë gjurmën time në këtë sport.”, ka deklaruar Jeniss Rexhepi për IndeksOnline.

Intervistë e realizuar nga gazetari, Gjelbrim Shabani.