75 Mall Live Search
23:34 / E Hënë, 23 Mars 2026 / L A

MotoGP rikthehet në Brazil pas 20 vitesh – Bezzecchi i paprekshëm, Aprilia dominon!

MotoGP bëri rikthimin e shumëpritur në Brazil këtë fundjavë, me garën e zhvilluar në pistën ‘Autódromo Internacional de Goiânia – Ayrton Senna’.

Ishte një debutim kaotik por spektakolar. Rreshje të dendura shiu, një pistë sfiduese dhe distanca e garës e shkurtuar (nga 31 në 23 xhiro), e bënë këtë event një test mbijetese për ngasësitë.

Marco Bezzecchi (Aprilia) ishte i paprekshëm. Ai mori fitoren e katërt radhazi (përfshirë edhe dy garat e fundit të sezonit 2025), duke e çuar Aprilia-n në krye të klasifikimit me ç’rast bëri të ditur se formën e tij për titull nuk mund ta nënvlerësojë askush.

Shoku I tij i skuadrës te Aprilia, kampioni i 2024, Jorge Martín, përfundoi i dyti, duke siguruar pastër dy pozitat e para për Aprilia-n.

Podiumi u kompletua me italianin Fabio Di Giannantonio (skuadra satelit e Ducatit, Pertamina Enduro VR 46).

Kampioni në fuqi nga sezoni I kaluar, Marc Márquez, u rendit i katërti pas një dyluftimi shumë interesant deri në fund me Di Giannantonio, si një përsëritje e Sprint Garës të shtunën, ku Marquez doli në krye, por italiani në garën zyrtare u revanshua kundrejt katalanasit.

Ky rikthim i MotoGP në Brazil pas më shumë se 20 vitesh nuk është thjesht një event nostalgjik. Organizatorët e shohin si një hap strategjik për zgjerimin e sportit në Amerikën e Jugut dhe pritshmëritë janë që Brazili të mbetet pjesë e kalendarit në vitet e ardhshme, me potencial për t’u kthyer në një nga ndalesat më të forta dhe elektrizuese të sezonit.

Marrëveshja në mes FIM (Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit) dhe Grand Prix në Brazil për garat e MotoGP është për 5 vite, duke filluar nga sezoni aktual 2026.