Nga spitali analizoi kundërshtarët, historia interesante e trajnerit të Rumanisë!
Trajneri i Kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu, po përjeton një nga kapitujt më sfidues të karrierës së tij, duke luftuar jo vetëm për një vend në Kupën e Botës, por edhe me problemet shëndetësore që e kanë shoqëruar muajt e fundit.
Tekniku 80-vjeçar ka qenë disa herë në spital kohët e fundit, por kjo nuk e ka ndalur përgatitjen e tij për ndeshjen e play-off-it, shkruan Indeksonline
Madje, ai ka analizuar kundërshtarët edhe nga shtrati i spitalit, duke treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj ekipit kombëtar.
Pasi mori dritën jeshile nga mjekët për të vazhduar punën, Lucescu vendosi të qëndrojë në krye të skuadrës, duke e cilësuar këtë si një detyrim moral ndaj futbollit rumun. “Nuk mund të largohem si një frikacak,” është shprehur ai.
Karriera e tij e jashtëzakonshme lidhet ngushtë me historinë e futbollit rumun. Lucescu ishte kapiten i Rumanisë në Kupën e Botës 1970, ndërsa vetëm një dekadë më vonë, në moshën 36-vjeçare, mori drejtimin e ekipit kombëtar për herë të parë, duke e çuar drejt kualifikimit në Euro 1984 dhe duke qenë pranë një tjetër Botërori.
Një nga vendimet më të rëndësishme të tij erdhi në vitin 1983, kur i dha debutimin një 18-vjeçari të quajtur Gheorghe Hagi, i cili më vonë do të bëhej një nga ikonat më të mëdha të futbollit rumun.
Me më shumë se 30 trofe të fituar gjatë karrierës, sfida aktuale mund të jetë më e vështira për Lucescun: rikthimi i Rumanisë në Kupën e Botës pas 28 vitesh mungesë.
Kujtojmë që nesër Rumania luan ndaj Turqisë në play-offin e Kupës së Botës 2026./Indeksonline/

