“Nuk kisha atak në zemër”, trajneri i Rumanisë: U nervozova pas humbjes ndaj Turqisë!
Trajneri i kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu, ka reaguar pas lajmeve që qarkulluan në media për një gjendje të rënduar shëndetësore, duke mohuar se ka pësuar atak në zemër dhe duke sqaruar situatën reale.
“Nuk kam pësuar atak në zemër. Po lexoj komente të tilla, por jo! Rrahjet e zemrës më kaluan në fibrilacion. Kjo më kishte ndodhur edhe në Brescia. Në fund të vitit të kaluar pata gjithashtu palpitacione. Tani ndodhi sërish.
“Nesër do t’i nënshtrohem analizave të reja. Duke analizuar ndeshjen me Turqinë, edhe pse kishin kaluar 3 ditë, u zemërova shumë. U sëmura për shkak të këtij zemërimi. Ndjeva sikur nuk mund të merrja frymë. Shpresoj që lojtarët e mi t’ia dalin edhe pa mua,” u shpreh Lucescu për mediat rumune.
Sipas tij, bëhet fjalë për një episod fibrilacioni, një problem me ritmin e zemrës që e ka përjetuar edhe më herët gjatë kohës kur ishte në Brescia. Gjendja e tij u përkeqësua pas analizës së ndeshjes ndaj Turqisë, ku stresi dhe emocionet e forta duket se ndikuan drejtpërdrejt.
Lucescu u dërgua në spital për kontrolle mjekësore, ndërsa pritet t’i nënshtrohet testeve të tjera për të vlerësuar gjendjen e tij.
Ndërkohë, kombëtarja e Rumanisë do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Sllovakisë pas dy ditësh, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tekniku veteran do të jetë në gjendje të udhëheqë skuadrën nga stoli./Indeksonline/

