Pse pa konsultim publik? Ngrihen dyshime për procedurat e Ligjit të konfiskimit
Komisioni për legjislacion ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar për Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, transmeton IndeksOnline.
Gjatë diskutimeve, deputeti Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës ngriti shqetësime lidhur me mungesën e konsultimit publik për këtë projektligj.

Ai, duke iu drejtuar ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, pyeti pse nuk është zhvilluar konsultimi publik, duke theksuar se një procedurë e tillë është e obligueshme me ligj.

“Pse është vlerësuar që të mos ketë konsultim publik, kur dihet që ligjërisht është i detyrueshëm”, ishte një nga pyetjet e ngritura në komision.
Nga ana tjetër, u theksua se projektligji nuk ka pësuar ndryshime nga versioni i mëparshëm. Sipas deklarimeve, ligji ka kaluar në Kuvendin e Kosovës në të njëjtën formë që është aktualisht, ndërsa këtë herë është premtuar se do të respektohen të gjitha çështjet procedurale të theksuara nga gjykata.

