Policia po heton një kërcënim me bombë në shtëpinë e vëllait të Papa Leonit XIV në Çikago
Policia në shtetin amerikan të Illinois njoftoi sot se po heton një kërcënim me bombë në shtëpinë e vëllait të Papa Leoni XIV, John Prevost, pranë Çikagos, pasi kontrolli nuk zbuloi asnjë pajisje shpërthyese ose të rrezikshme.
Kërcënimi u raportua mbrëmë në adresën e John Prevost në New Lenox, që ndodhet rreth 60 kilometra në jugperëndim të Çikagos, sipas mediave lokale që citojnë policinë, raporton Reuters.
Policia e New Lenox nuk iu përgjigj thirrjeve për koment.
Incidenti ndodhi pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të dielën kritikoi Papa Leonin XIV, i cili është me origjinë nga Çikago, për deklaratat e tij në lidhje me luftën në Iran, sipas agjencisë.
Policia tha se pasi mori një informacion, ata evakuuan shtëpitë përreth dhe kryen një kontroll të imët të zonës.
” Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, hetuesit përcaktuan se kërcënimi ishte i pabazuar dhe se nuk kishte pajisje shpërthyese ose materiale të rrezikshme “, thuhet në deklaratën e policisë.
Hetimi po vazhdon për të përcaktuar origjinën e raportit të rremë.
Papa Leoni XIV, i cili udhëheq Kishën Katolike me rreth 1.4 miliardë besimtarë , kohët e fundit është shquar si një kritik i hapur i luftës, tha agjencia.
Në fjalimin e sotëm në Kamerun, Papa Leoni XIV kritikoi udhëheqësit që shpenzojnë miliarda për luftëra dhe tha se bota u shkatërrua nga një grusht tiranësh.
Ndërsa më parë e kishte kritikuar atë si shumë liberal dhe “të butë ndaj krimit”, Trump vlerësoi vëllanë e tij Louis, nga Florida, për mbështetjen e lëvizjes së tij “Bëjeni Amerikën të Madhe Përsëri”.
John Prevost është një nga vëllezërit më të mëdhenj të Papa Leo XIV./Indeksonline/

