Interlab reagon ndaj lajmit për tenderin e SHSKUK-së: Mohon akuzat për falsifikim, publikon vendimin e OSHP-së
IndeksOnline publikon reagimin zyrtar të kompanisë, duke u thirrur në të drejtën për korrigjim
IndeksOnline, duke u bazuar në parimet e transparencës dhe të drejtës për informim të drejtë, ndjen obligim profesional që të publikojë reagimin (demantimin) e kompanisë Interlab Sh.p.k., lidhur me artikullin e publikuar më 30 tetor 2025 për një tender të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Në reagimin e dërguar sot, kompania Interlab kundërshton raportimin se ka paraqitur dokumente të falsifikuara gjatë pjesëmarrjes në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me pajisje mjekësore për nevojat e njësive përbërëse të SHSKUK-së”.
Sipas Interlab, pas shqyrtimit të rastit, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendimin Nr. PSH 1638/25, më 19 janar 2026, me të cilin është refuzuar kërkesa e SHSKUK-së për diskualifikimin e kompanisë.
Në këtë vendim, sipas kompanisë, konstatohet se nuk ka pasur prova për falsifikim të dokumenteve.
Po ashtu, Interlab thekson se prodhuesi “Shenzhen Comen Medical Instruments Co., Ltd.” ka konfirmuar përmes komunikimeve zyrtare se autorizimi i dorëzuar është origjinal dhe i vlefshëm, duke shtuar se Interlab është distributor i autorizuar i tyre që nga viti 2022.
“Pas shqyrtimit të plotë të rastit, Organi Shqytues i Prokurimit (OSHP) ka marrë Vendimin Nr. PSH 1638/25 me datë 19.01.2026, me të cilin refuzon plotësisht kërkesën e Autoritetit Kontraktues SHSKUK për diskualifikimin tonë. Paneli ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë provë të falsifikimit të dokumenteve nga ana jonë. Prodhuesi Shenzhen Comen Medical Instruments Co., Ltd. vetë ka konfirmuar me email zyrtar (dt. 01.11.2025 dhe 04.11.2025) se autorizimi që kemi paraqitur është origjinal dhe i vlefshëm (autorizim rajonal për Kosovë), dhe se Interlab Sh.p.k. është distributor i autorizuar i tyre që nga viti 2022.”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Kompania ka kërkuar publikimin e këtij demantimi në përputhje me Ligjin për Media dhe të drejtën për korrigjim, duke bashkëngjitur edhe vendimin përkatës të OSHP-së si dokument mbështetës.
IndeksOnline mbetet i përkushtuar ndaj raportimit të drejtë dhe të balancuar, duke u dhënë hapësirë të gjitha palëve të përfshira për të paraqitur qëndrimet e tyre mbi çështjet me interes publik.

