Ndeshja mes Istogut dhe Vushtrrisë u mbyll pa incidente, klubi vendas i duartroket organizatorët
Vushtrria ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire ndaj Istogut me rezultat 0:1, në kuadër të Ligës së Parë të futbollit në Kosovë.
Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin “Demush Mavraj”, u ndoq nga një numër i madh tifozësh, me rreth 2000 shikues të pranishëm në tribuna, duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive, shkruan Indeksonline

Pas përfundimit të takimit, klubi i Istogut ka reaguar pozitivisht, duke vlerësuar organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes. Sipas tyre, gjithçka ishte në nivelin e duhur, duke nisur nga përgatitja e fushës, e cila u cilësua në gjendje shumë të mirë, deri te siguria dhe rendi në stadium.
Një vlerësim i veçantë iu dha Policisë së Kosovës për angazhimin në garantimin e sigurisë, si dhe tifozëve të të dyja skuadrave për sjelljen korrekte gjatë gjithë ndeshjes.
“Ndeshja u zhvillua në frymë sportive dhe, si rrallëherë, përfundoi pa asnjë incident”, thuhet në reagimin e klubit vendas.
Nga Istogu u theksua se kjo përballje ishte një shembull i mirë i organizimit dhe respektit në futbollin kosovar, ndërsa u shpreh mirënjohje për të gjithë akterët që kontribuuan në zhvillimin e një ndeshjeje të qetë dhe dinjitoze.
Në fund, klubi i Istogut theksoi se, pavarësisht rezultatit, dita e sotme dëshmoi se “fitoi futbolli”, duke vënë në pah rëndësinë e fair-play-it dhe atmosferës pozitive në sport./Indeksonline/

